TEPELENË- Temperaturat përvëluese të mesditës, mbi 40°C, të kombinuara me erërat e forta, kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën e zjarreve në zonën e Tepelenës, duke e kthyer malin e Golikut dhe fshatin Lekël në një skenë të frikshme flakësh. Përhapja e zjarreve ka prekur rëndë një monument kulture: një pjesë e kishës së vjetër të fshatit Lekël, e ndërtuar në vitet 1800 nga Thanas Vaja, ish-sekretari i Ali Pashë Tepelenës. Kisha është shkrumbuar nga zjarri.
Flakët po ashtu kanë djegur mbi 10 hektarë kullota dhe që nga mbrëmja e djeshme kanë përpirë pesë stane. Terreni i thyer ka vështirësuar ndërhyrjen nga toka, ndërsa operacionet nga ajri nisën me vonesë. Aktualisht, rreth 100 efektivë të Forcave të Armatosura dhe zjarrfikës nga Gjirokastra, Tepelena dhe Libohova po luftojnë me vatrat e zjarrit.
Situata është alarmante edhe në zonën turistike të “Syrit të Kaltër”, ku flakët janë afruar në rrugë./ZËRI