
FIER- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur në gjimnazin e Cakranit, ku si pasojë e një sherri mes nxënësve, i plagosur me thikë mbeti një 17-vjeçar. Sipas prokurores Oliana Gjergjefi dy mësuese kanë qenë të pranishme gjatë momentit të konfliktit. Ajo shtoi se është kryer edhe kqyrja e vendit të ngjarjes.
"Kam pyetur dëshmitarët okularë, dy mësuese të cilat kanë qenë të pranishme gjatë konfliktit. Ngjarja është e rëndë dhe garantojmë një hetim të plotë e të gjithanshëm,” tha prokurorja.
Bëhet me dije se i plagosuri u transportua në spitalin Rajonal Fier, për ndihmë mjeksore ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori është shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme, teksai i është sekuestruar thika me të cilën goditi adoleshentin tjetër. Burime nga drejtoria e Policisë së Fierit pohojnë se autori ka deklaruar se janë zënë sapo kanë hyrë në oborr të shkollës, pasi kishin debatuar për një postim në rrjetin social Snapchat mbrëmjen e djeshme./ZËRI