
ITALI- Një 22 vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane e Perugias nën akuzën e veprës penale të shitjes së drogës dhe mbajtjen e armëve të ftohta. Mediat vendase raportojnë se një banor i zonës, kishte vënë re të riun brenda pronës së tij dhe në frikën e një vjedhjeje të mundshme, ka kërkuar ndërhyrjen e policisë.
Gjatë kontrollit, 22-vjeçarit iu gjet një hanxhar 50 centimeta dhe doza të shumta me lëndë të ndryshme narkotike, të gjitha brenda çantës së shpinës. Përkatësisht u gjetën dy kuti me hashash me peshë 126 gram, gjashtë tableta, dy mbështjellës celofani të mbyllura me nxehtësi që përmbanin kokainë dhe shtatë mbështjellës letre që përmbanin gjashtë gram ketaminë. Gjithashtu, shqiptarit iu gjetën edhe 250 euro para të gatshme, të cilat dyshohet se janë të ardhura nga aktiviteti i trafikut të drogës.
Mësohet se ndaj të riut kishte pasur denoncime të mëparshme për tentativa grabitje të dështuara./ZËRI