
TIRANË- Operacioni i SPAK që është shtrirë në qytete të ndryshme të vendit është ende në vijim, pasi policia ka dështuar në kapjen e shumicës së personave për të cilët është dhënë masë sigurie nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Operacioni u shtri në disa qytete të vendit, përfshirë Tiranën, Vlorën, Lezhën, Fushë-Krujën, Niklën, Kurbinin, apo Durrësin. Në dosjen e SPAK, kanë rezultuar të përfshirë në ngjarje kriminale, edhe 3 punonjës policie, të cilët kanë pasur edhe poste drejtuese.
Kështu me urdhër të SPAK është shpallu ish-drejtori i Policisë së Lezhës Rigert Mitri, efektivi i policisë Klodian Shahini, si dhe ish-shefi i stërvitjes në sektorin RENEA, Altin Morina, ky i fundi i arrestuar dhe më parë, pasi iu gjetën një sasi e madhe parash në makinë. Por megjithatë në Gjykatë ai arriti që të provonte burimin e ligjshëm të rreth 113 mijë eurove, dhe më pas u liruar.
Në Nikël është arrestuar Naim Stafuka, vëllai i Enver Stafukës, i cili prej vitesh rezulton i zhdukur. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim kushërinjtë Bami. Durim Bami dhe Naim Stafuka, dyshohet se kanë qenë të përfshirë në atentatin e ndodhur ndaj Marklen Hakës në vitin 2019, ku mbeti e vrarë aksidentalisht halla e tij.
Në Tiranë, SPAK ka lëshuar mbi 10 urdhër arreste, shumica e të cilvave nuk janë ekzekutuar. Kontrollet janë përqëndruar kryesisht në banesat e vëllezërve Leonard dhe Erlis Duka, të njohur për armiqësinë e tyre me Ervis Martinajn, bosin e zhdukur të lojërave të fatit.
Kontrolle janë zhvilluar edhe në Vlorë në banesën e Fatmir Hysenit (Doca), i cili është nën gjykim për akuzën e vrasjes ndaj ish-efektivit të policisë Santiago Malkën, i njohur si krahu i besuar i Ervis Martinajt.
Policia dhe RENEA kanë kryer kontrolle dhe në Durrës, për arrestimin e anëtarëve të fisit Avdylaj, ku dhe aty kanë dalë duarbosh.
Ndërkohë raportohet se gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 3 milionë euro cash në banesën e Ervis Doçit, i njohur ndyrshe si Visit të Pojës. Po ashtu është kërkuar dhe arrestimi i ish-deputetit Arben Ndoka, që akuzohet për një ngjarje në Shkodër. Ndërkohë, sot pritet një reagim zyrtar nga SPAK, ku do të jepen detaje rreth aksionit në fjalë.
Në mesin e personave për të cilët është dhënë një masë sigurie, është dhe Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit, i cili ndodhet aktualisht në burgjet spanjolle./ZËRI