Aktualitet

Prej 8 vitesh në koma, vdes në burgun e Parmës killeri shqiptar Dritan Demiraj. Krimet që tronditën Italinë

Dritan Demiraj u arrestua nga policia italiane më 3 mars 2016 për vrasjen e ish-të dashurës rumune, Lidia Nusdorfi dhe të dashurit të saj Silvio Mannina

E.K
Prej 8 vitesh në koma, vdes në burgun e Parmës killeri shqiptar
Dritan Demiraj

ITALI- Zemra e Dritan Demirajt, shqiptarit që ishte dënuar me burg përjetë për vrasje të dyfishtë, ka pushuar së rrahuri përgjithmonë të enjten e kaluar. Prej 8 vitesh ai gjendej i shtruar në spitalin e burgut të Parmës, pasi ishte dhunuar barbarisht nga një boksier rumun në vitin 2016. 

Që prej asaj kohe ai gjendej i shtruar në spitalin e burgut, për shkak se kishte humbur kujtesën, ndërsa truri i tij ishte shndërruar në atë të një fëmije, që kishte nevojë për përkujdesje të vazhdueshme mjekësore. Ai ka ndërruar jetë në datën 25 Prill, në moshën 39-vjeçare.

Demiraj kishte vrarë në vitin 2014 ish-të dashurën e tij rumune Lidia Nusdorfi, si dhe partnerin e saj të ri, Silvio Mannina. Asokohe shqiptari u cilësua nga mediat italiane me nofkën “killeri i liqenit Azzurro”. Dhunimi i tij në burg, nga boksieri rumun, është vlerësuar si një hakmarrje, për vrasjen e ish-partneres së tij.

Nga vrasja e dyfishtë, i vetmi që po shlyen ende dënimin me burgim të përjetshëm është daja i Demirajt, Sadik Dine, i shpallur edhe ai fajtor për ngjarjen makabre, pasi dyshohet se ka ndihmuar në krim. 

Lidia Nusdorfi u masakrua me thikë nga Demiraj, në stacionin e Mozzate, në provincën e Como-s, në Mars të 2014-s, një ditë pasi shqiptari kishte vrarë Silvio Mannina-n. Trupi i këtij të fundit u gjet i varrosur në një moçal në liqenin Azzurro, në Santarcangelo. Para se të vritej ai ishte torturuar barbarisht.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB