Aktualitet

Pr.ligji/ Policia me zyrë të re, gjurmon "paranë e pistë"...gjetjet në duart e SPAK

Drejtori i Përgjithshëm i ZRA do të ketë një mandat 5-vjeçar për të drejtuar strukturën.

k.m.
Pr.ligji/ Policia me zyrë të re, gjurmon "paranë e
Foto ilustruese

TIRANË- Zyra e Rikuperimit të Aseteve do të fusë në "skaner" paratë e krimit të organizuar dhe të korrupsionit duke u kthyer kështu në një shtesë të rëndësishme për SPAK. ZRA, një zyrë e re, e cila do të krijohet brenda Policisë së Shtetit, do të gjurmojë dhe zbulojë burimin e parave "të pista", informacione që më pas do t'ja kalojë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 

Siç edhe shkruhet në projektligjin "për krijimin e zyrës së rikuperimit të aseteve" të siguruar nga "ReportTV", kjo zyrë, e cila do të ketë drejtues të veçantë që raporton pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i ZRA do të ketë një mandat 5-vjeçar për të drejtuar strukturën. Përveç kreut të ZRA-së, do të ketë një komitet këshillimor, i cili kryesohet nga përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme, pjesë e së cilit është vetë kreu i ZRA, një përfaqësues nga Policia e Shtetit, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, SPAK, BKH, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila përfshinë Tatimet, Doganat, Njësinë e Inteligjencës Financiare dhe Banka e Shqipërisë.

ZRA do të ketë mundësi koordinimi edhe me zyrat e tjera homologe përmes të gjitha rrugëve, edhe letërporosive. Sipas projektligjit, të gjitha institucionet që dërgojnë letër-porosi jashtë vendit dhe tematikë e tyre është zbatimi i masave të ngrirjes së përkohshme, sekuestrimit ose konfiskimit të pasurive, duhet të vënë në dijeni këtë zyrë, njëjtë siç duhet njoftuar kur ka kërkesa nga vende të jashtme në drejtim të vendit tonë. Por, kthim-përgjigjet për jashtë janë të ndaluara në rastet kur cenohet siguria kombëtare ose kur cënohet sekreti hetimor.

Detyrat e ZRA:

1. ZRA ndërmerr aktivitete për gjetjen dhe identifikimin e të ardhurave, pasurisë ose përfitimeve të tjera pasurore që lindin nga një vepër penale, veprimtari kriminale ose që janë të lidhura me to, brenda vendit ose jashtë tij, ndaj një personi juridik ose personi fizik, shtetas shqiptar, shtetas i huaj apo pa shtetësi, si dhe për nevojat e procedurës së ngrirjes së përkohshme, konfiskimit pa përcaktuar përgjegjësinë penale e cila rregullohet sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

2. ZRA është e autorizuar të ketë akses dhe kërkon e merr informacion nga regjistri kombëtar i centralizuar i llogarive bankare për parandalimin, zbulimin, hetimin ose ndjekjen penale të veprave penale.

3. ZRA kërkon dhe merr informacion financiar ose analiza financiare nga Njësia e Inteligjencës Financiare.

4. ZRA shkëmben informacion dhe praktika me ZRA të huaja për qëllim të parandalimit, zbulimit dhe hetimit nga organet kompetente ligjzbatuese ndaj veprave penale dhe autorëve të dyshuar të kryerjes së tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe për qëllim të hetimit penal ose financiar të ndërmarrë nga organet gjyqësore kombëtare dhe organet përkatëse kombëtare që marrin pjesë në hetimin financiar ose nga një autoritet gjyqësor i huaj.

5. ZRA shkëmben informacion dhe të dhëna dhe përvojat e praktikat me autoritete kombëtare dhe ndërkombëtare në lidhje me gjurmimin dhe identifikimin e të ardhurave, pasurive ose përfitimeve të tjera pasurore që lindin nga një vepër penale, veprimtari kriminale ose që janë të lidhura me to, të cilat mund t'i nënshtrohen ngrirjes së përkohshme, sekuestrimit ose konfiskimit.

6. ZRA administron, analizon, vlerëson raporte dhe informacione dhe kryen kërkime shkencore për çështje të lidhura me pasurinë që është produkt i veprës penale ose veprimtarisë kriminale, duke përdorur forma, metoda e mjete pune të analizës dhe vlerësimit të informacionit sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi për këtë qëllim.

7. ZRA mbledh rregullisht dhe mban statistika gjithëpërfshirëse në funksion të ushtrimit të veprimtarisë së saj.

8. Shkëmbimi i informacionit sipas këtij neni bëhet në bazë të kërkesës së marrë ose në përputhje me praktikat e shkëmbimit spontan të informacionit sipas përcaktimit në këtë ligj.

Aktualisht, konsultimi publik për projektligjin ka përfunduar dhe pritet që të diskutohet në Komisionet parlamentare dhe më pas, të kalojë për miratim në Kuvend. Votim, që ka shumë gjasa që të lihet për në shtator./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB