VLORË- Një turist ukrainas ka vdekur në ishullin e Sazanit, disa minuta pasi ka shfaqur probleme me shëndetin, dhe është ndjerë keq.
Turistit iu dha ndihma e parë nga pjesëtarë të bordit të skafit por dhe turistë dhe qytetarë të Vlorës të ndodhur pranë.
Ukrainasi, mësohet të jetë i moshës 40-vjeç, ndërsa vuante nga probleme të zemrës.
Ai ishte në Sazan me familjen e tij, bashkëshorten dhe vajzën e vogël 6- vjeçe.
40-vjeçari është nisur urgjent drejt Spitalit të Vlorës, gati pa shenja jete.
"Sot, në Sazan, gjatë transportit për ndihmë mjekësore për në spital, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak shtetasi ukrainas P. I., 40 vjeç, i cili ndodhej me familjen në atë zonë për guidë turistike. Grupi hetimor po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet iu referuan Prokurorive, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Mungesa e ndihmës së shpejtë, prezenca e një mjeku apo një qendre kujdesi në këtë zonë turistike, rrit riskun e asistimit për ndihmë mjeksore.
Ndërkohë mësohet se turisti ka shkuar pa jetë në spitalin e Vlorës./ZËRI