
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka përparuar me hetimet në lidhje me skandalin e mikrokredive, duke lëshuar 9 masa sigurie për administratorët e 5 kompanive, si dhe për disa përmbarues në Tiranë. Prokuroria zbërthen skemën e denoncuar më parë edhe nga ZËRI, ku qytetarët detyrohen që të marrin një kredi të re, për shlyerjen e kredive të këqija, në mënyrë që t’iu zhbllokoheshin përkohësisht pasuritë e tyre. Në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës thuhet gjithashtu se
“Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.
Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.
Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 leke.
Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi”, thuhen në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Ndërkohë që në SPAK është duke u hetuar dosja për rolin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa guvernatori i përgjithshëm Gent Sejko akuzohet për shpërdorim detyre. /ZËRI