
TIRANË- Policia e Tiranës ka vënë nën hetim organizatorët e protestës së zhvilluar një ditë më parë përpara Bashkisë Tiranë. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se nën hetim janë vënë pesë persona, Adriana Tolka, Adriana Kalaja, Tedi Blushi dhe Belind Këlliçi. Sipas policisë, të gjithë kanë penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve, si dhe kanë prishur rendin dhe qetësinë publike.
Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 proceduan në gjendje të lirë shtetasit A. T., A. K., K. B., B. K dhe T. B., pasi ditën e djeshme përpara godinës së Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të pa identifikuar, kanë zhvilluar një protestë të paligjshme, duke bllokuar rrugën, penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve, si dhe duke prishur rendin dhe qetësinë publike. Po nga këta specialistë u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. G., 55 vjeç, pasi ditën e djeshme, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë zhvilluar një protestë, për të cilën nuk i ishte miratuar leja për zhvillimin e këtij tubimi.