HIMARË- Një qytetare ka deklaruar se ka votuar me pasaportë të skaduar edhe kur në Himarë, duhet të zgjidhte mes Fredi Belerit dhe Jorgo Goros, në maj të një viti më parë. Këtë herë, e reja, që shihet në videon e publikuar nga Balkanweb, kërkon të votojë për Vangjel Tavon ose Petro Gjikurinë, me të njëjtin mjet identifikimi të skaduar. Por, nuk është pranuar nga anëtarët e Komisionit.
Pjesë nga biseda:
Votuesja: Unë me këtë pasaportë kam votuar edhe vjet. Të skaduar.
Komisioni: Nuk e di, por di të të them që ky document nuk është i vlefshëm.
Votuesja: Unë me këtë kam votuar.
Komisioni: Duhet të marrës pasaportë dhe kartë identiteti të re. Nuk e di se çfarë keni bërë vjet, pasi ne nuk kemi qenë në Komision. Sot nuk mund të votosh, mund t’i drejtohesh KZAZ-së ose KQZ për të shprehur shqetësimin. Ligji nuk ju lejon.
Gara zhvillohet mes Vangjel Tavos që kandidon nën siglën e PS dhe kandidatit opozitar Petro Gjikuria. Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë vijnë pas burgosjes së ish-kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri dhe dënimit të tij nga gjykata me dy vjet heqje lirie për blerje votash.