
TIRANË- Zbardhet dëshmia e bashkëshortes së Asqeri Mandrit, 34-vjeçarit të arrestuar në Tiranë për dhunë në familje. Para oficerëve të Policisë, ajo ka deklaruar se Mandri e kishte mbushur shtëpinë me kamera, se ishte shumë xheloz dhe se ushtronte dhunë sistematike ndaj saj. Po ashtu ajo shton se ai nuk ka dhunuar vetëm atë, por dhe katër fëmijët e mitur.
Sipas gruas, 34-vjeçari pas kthimit nga Gjermania kishte shfaqur shenja të theksuara xhelozie. Ndërsa shton se ai kohët e fundit e shante dhe e akuzonte për tradhëti.
Asqeri Mandri u arrestua këtë të martë nga Policia e Tiranës, pas denoncimit të bashkëshortes së tij se ai e dhunonte sistematikisht. Mandri kishte vendosur kamera sigurie kudo në banesë me qëllim vëzhgimin e çdo lëvizjeje të gruas. Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur në zonën e Kodër Kamzës, ku nëna e katër fëmijëve mbahej e mbyllur dhe nën vëzhgimin me kamera nga bashkëshorti i saj për 6 muajt e fundit. Këto muaj ai ishte kthyer nga Gjermania, vend ku punonte për të siguruar të ardhura për familjen./ZËRI