Aktualitet

"S'do i falim kurrë"! Një vit nga vrasja e shqiptares Ilaria Sula në Itali, prindërit: S'kërkojmë hakmarrje, por drejtësi!

Prindërit e saj vazhdojnë të vizitojnë vendin ku trupi i vajzës u gjet, një greminë përgjatë rrugës malore në Capranica Prenestina, pranë Romës, të cilën banorët e zonës e quajnë "Rruga e Ilarias". 

zh.ll
"S'do i falim kurrë"! Një vit nga vrasja e shqiptares
ilaria sula

ITALI- Vrasja e 22-vjeçares Ilaria Sula, një vit më parë, ka tronditur mbarë opinionin dhe ka lënë pas një dhimbje të thellë kryesisht për familjarët. Prindërit e saj vazhdojnë të vizitojnë vendin ku trupi i vajzës u gjet, një greminë përgjatë rrugës malore në Capranica Prenestina, pranë Romës, të cilën banorët e zonës e quajnë "Rruga e Ilarias". 

Një memorial i vendosur aty, pikërisht në vendin ku u gjet Ilaria, është vendi ku prindërit Flamur dhe Gëzime Sula shkojnë çdo fundjavë për të ruajtur kujtimin e vajzës së tyre. Nëna e ilaria pastron pllakat dhe fotografitë, ndërsa babai vendos dhe rregullon lulet përreth. Në mermerin e zi është gdhendur një mesazh prekës: “Do të të dërgoj një puthje me erën dhe e di që do ta ndjesh”.

"S'do i falim kurrë"! Një vit nga vrasja e shqiptares
memoriali

Tashmë, një vit pa Ilarian, prindërit po përballen me dhimbjen e madhe që ka lënë humbja e saj. Në një intervistë për Il Messaggero, ata janë shprehur se pas tragjedisë nuk janë më të njëjtët. Për nënën e Ilarias, një vit pa vajzën është vetëm boshllëk. 

“Jeta jonë u ndal më 2 prill. Kur të marrin një vajzë, të marrin arsyen e jetës. Nuk jemi më njerëzit që ishim. Atë ditë na vranë edhe ne”, shprehet ajo.

Nga ana tjetër, babai shprehet se e bija ëndërronte një të ardhme të ndritur.

“Ajo studionte Statistikë dhe do të diplomohej në tetor. Donte të punonte në fushën financiare. Kishte shumë plane për jetën”, thotë Flamur Sula.

E pyetur se çfarë kujton nga ajo ditë kur mori vesh lajmin për të bijën, Gëzime Sula shprehet se kur mori vesh lajmin nuk po e besonte.

"Kur na thanë se e kishin gjetur, nuk doja ta pranoja që ishte e vërtetë. I thashë Flamurit: ‘Ndoshta gabohen.’ Nuk ishte. Herën e fundit që folëm ishte më 25 mars. Po planifikonim fundjavën tonë në Terni së bashku. Orarin e trenit, takimin për te parukria dhe pastaj pazarin e pasdites, si nënë e bijë. I kisha blerë një pulovër disa ditë më parë, e kishim zgjedhur së bashku në telefon. Është ende në sirtarin e saj. Nuk doja ta jepja. Gjithçka mbeti ashtu siç ishte në dhomën e saj: dollapët, krevati, fotot, lodrat prej pelushi. Gjithçka ishte ashtu siç e la më 15 mars, ditën e fundit që fjeti atje. Ajo ishte hera e fundit që e pamë gjallë. Hera e fundit që munda ta përqafoja”, ka rrëfyer ajo mes lotësh.

Gëzime Sula reagoi ashpër edhe ndaj nënës së autorit të dyshuar, e cila në gjyq ka pranuar se e ndihmoi të birin të pastronte gjakun nga dhoma.

“Ajo nuk është nënë. Nuk mund ta quash dikë të tillë nënë. Nuk ka falje, kurrë. As për të dhe as për të birin. Ata ecën mbi gjakun e vajzës sime, gjakun e gjakut tim. E pastruan dhe e hodhën tutje, njësoj siç e hodhën atë në shkurre. Sikur të ishte një objekt. Nuk uroj që askush të shohë një vajzë të katandiset në ato kushte”, tha ajo.

Procesi gjyqësor për vrasjen e 22-vjeçares po vazhdon dhe prindërit nuk kanë munguar në asnjë seancë.

“Do të vazhdojmë të jemi aty. Nuk kërkoj hakmarrje, por drejtësi. Dua që Ilaria të mos kujtohet si ‘vajza e valixhes’, por për atë që ishte: e gëzuar, inteligjente dhe plot jetë”, thotë babai i saj.

Mark Samson e vrau Ilaria Sulën duke e goditur 3 herë me thikë në fyt, mbrëmjen e 25 marsit, plagë që i shkaktuan vdekjen 22-vjeçares shqiptare në më pak se një minutë për shkak të humbjes së madhe të gjakut. 23-vjeçari mbylli derën e dhomës së tij të gjumit dhe deri pasditen e 26 Marsit e mbajti të fshehur trupin e studentes shqiptare, të cilën e kishte ftuar për të fjetur në shtëpinë e tij, edhe pse kishin një vit që ishin ndarë. Prej një jave e zhdukur, 22-vjeçarja Ilaria Sula u gjet e vrarë. Trupi i pajetë u gjet në një valixhe të hedhur në humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli./ZËRI

Poll

MOS HUMB