
KRUJË- Një 26-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë së Shtetit, pasi në automjetin e tij u gjetën 3000 fara kanabisi. Bashkë me to, kishte edhe 4 maska që përdoren për ngjarje kriminale, 1 kamera ambientale, sasi municioni luftarak dhe 3 celularë.
NJOFTIMI I PLOTË:
Krujë
Në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale mbarëkombëtare "Tempulli 2" dhe "Sundimi i ligjit", u finalizua operacioni policor i koduar "Seeds". Operacioni u zhvillua nga Sektori i Forcës së Posaçme "Shqiponja" dhe Komisariati i Policisë Krujë. Sekuestrohen rreth 3000 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa, 4 maska si ato që përdoren për ngjarje kriminale, 1 kamera ambientale, sasi municioni luftarak dhe 3 celularë.
Vihet në pranga poseduesi i tyre. Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme "Shqiponja" dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacioneve “Tempulli 2”, dhe "Sundimi i ligjit", për një shtetas që transportonte fara kanabisi dhe posedonte sende të kundërligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Seeds".
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi G. D., 26 vjeç, banues në Krujë. Gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan rreth 3000 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa, 4 maska si ato që përdoren për ngjarje kriminale, 1 kamera ambientale, sasi municioni luftarak dhe 3 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./ZËRI