VLORË – Reshjet e dendura të shiut kanë ‘pushtuar’ ditën e sotme vendin dhe qytetin e Vlorës. Siç shikohet nga pamjet e Zëri.ai, bulevardi kryesor i qytetit është nën ujë.
Gjithashtu, lagjet e qytetit bregdetar janë përmbytur. Qytetarët janë parë duke kaluar me çizme në rrugë, ndërsa të pamundur kalimin e kanë pasur edhe disa mjete.
Janë disa akse nën ujë, Rruga "Albano Romina", rruga "Kosova", rruga Veledin Kollozi dhe zona pranë kishës Orthodokse, ndërkohë që brenda pak minutave është përmbytur edhe bulevardi "Ismail Qemali".
Po ashtu problematika janë shfaqur dhe në aksin që lidh Peshkëpinë me Vlorën, për shkak se rruga është bllokuar nga inertet.
Sasia e reshjeve të shiut por dhe mungesa e kanalizimeve janë duke rrezikuar dhe bibliotekën e qytetit, ku po vendosen thasë me rërë, që uji të mos depërtojë në ambientet e brendshme.
Moti i keq ka mbërthyer sërish vendin këtë të mërkurë. Në Tiranë lumi Lana rrezikon që të dalë nga shtrati, ndërkohë që shumë rrugë të kryeqytetit janë përmbytur dhe janë të vështira për t’u kaluar nga kalimtarët. Edhe në Durrës, në afërsi të stadiumit Niko Dovana ka prani të madhe të ujit në rrugë, duke vështirësuar kalimin e mjeteve. /Zëri.ai/