
MADRID- Agjentët e Policisë Spanjolle, në një operacion të përbashkët me Europol, kanë shkatërruar një organizatë kriminale, e cila merrej me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave me metodën ‘Hawala’. Sipas Ministrisë së Brendshme, janë bërë gjithsej 27 arrestime në disa provinca (Madrid, Malaga, Sevilje, Valencia, Alicante dhe Barcelona) dhe gjatë kontrollit janë sekuestruar 615 mijë euro cash, si dhe ora dhe bizhuteri me vlerë më shumë se 400.000 euro.
Organizata, e drejtuar nga shqiptarë, mbështeti organizata të ndryshme ndërkombëtare për të pastruar paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme për të lehtësuar pagesat për trafikun e drogës. Hetimi filloi si rezultat i raporteve të inteligjencës kriminale të dërguara nga Europol, falë të cilave u bë e mundur identifikimi i një organizate të përbërë nga shtetas me origjinë shqiptare, të dedikuar në fushën trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjatë hetimit, agjentët mundën të verifikonin sesi në këtë strukturë shtetas kinezë u dërgonin bizneseve shuma të mëdha parash, në këmbim që kjo shumë të kompensohej diku tjetër, pa qenë subjekt i kontrollit përkatës ligjor ose formal në Spanjë. Nga ana tjetër, shtetasit shqiptarë, duke vepruar si një institucion bankar, kryenin transferimin dhe fshehjen e shumave të mëdha të parave nga shitja e drogës.
Hetuesit konstatuan se në krye të strukturës kriminale ndodheshin dy shtetas shqiptarë, njëri që kryente detyrën e drejtuesit dhe tjetri si 'toger' dhe kontabilist. Të paktën që nga viti 2018, ata kishin dy koordinatorë me origjinë kineze, me të cilët menaxhonin një 'portofol'. Gjatë periudhës së hetuar midis majit 2020 dhe marsit 2021, dërgesa të vazhdueshme dhe të shumta cash u janë bërë organizatave kriminale shqiptare, në një vlerë totale prej gati 65.5 milionë euro, në provincat e Barcelonës, Malaga, Valencia, Madrid, Sevilje dhe Alicante.
SISTEMI 'HAWALA'
Ky sistem i lashtë financiar u shfaq në Lindjen e Mesme me rrugën e famshme të mëndafshit, si një formë mbrojtjeje kundër sulmeve të mundshme që tregtarët mund të pësonin nëse mbanin para gjatë udhëtimeve të tyre. Ky sistem i lejonte udhëtarit të dorëzonte paratë fillimisht tek një 'hawaladar'. Me të mbërritur në destinacion, udhëtari do të kontaktonte një 'hawaladar' tjetër, një koleg i të parit, i cili pasi merrte "kodin" do t'i jepte shumën e parave që u detyrohej. Nga këto operacione nuk ka të dhëna ligjore apo identifikime të klientëve, duke lënë të panjohur origjinën e fondeve dhe destinacionin e tyre, duke i bërë ato krejtësisht të errëta për sistemin financiar ligjor. Për këtë arsye, ato përdoren nga organizata kriminale në mbarë botën, si dhe nga grupe terroriste, duke shërbyer për të fshehur fitimet me origjinë të paligjshme ose për t'i dërguar në parajsat fiskale./Zëri.ai