
DHAKA – Më shumë se 1 000 njerëz kanë vdekur nga Ethet e Dengës, në shpërthimin më të keq të regjistruar ndonjëherë në Bangladesh, sipas të dhënave zyrtare të shtetit. Rastet ka gjasa të jenë rritur, për shkak të rritjes së temperaturave, nga ndryshimet e shumta klimatike që kanë ndodhur së fundmi.
Kështu, nga janari 2023, më tepër se 1 017 njerëz kanë vdekur nga sëmundja që shkaktohet nga mushkonjat, mes të cilëve më tepër se 100 janë fëmijë. Numri i infeksioneve ka shkuar në më tepër se 208 mijë.
Ethet e Dengës janë endemike në vendin e Azisë Jugore, me infeksione që zakonisht arrijnë kulmin gjatë sezonit midis korrikut dhe shtatorit. Këtë vit, rastet e para janë regjistruar që në muajin prill.
Një sezon që ishte me temperatura relativisht të larta dhe me reshje të dendura, bëri që mbarështimi i mushkonjës Aedes të shkojë në mënyrën më të mirë. Kjo do të thotë se rastet janë më të shumta, sepse infeksioni lind nga kjo mushkonjë.
Vdekjet nga ky infeksion janë thuajse katër herë më të larta sesa sezoni i kaluar. Vetëm në shtator, kishte më tepër sesa 79 mijë raste nga sëmundja dhe u raportuan 396 vdekje. Ekziston shqetësimi që rastet nga Ethet e Dengës të rriten gjatë muajve të ftohtë të vitit./Zëri.ai/