
TIRANË-Sot 15 vite më parë Shqipëria u antarësua në NATO. Anëtarësimi në NATO shënoi një kthesë të rëndësishme për sigurinë e vendit, duke e renditur atë në krah 32 vendeve të tjera. Pas ftesës në Bukuresht më 3 prill 2008, Aleanca e Atlantikut të Veriut me datën 1 prill të vitit 2009, në një vendim historik, pranoi Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota të saj. Për shqiptarët, pas 5 dekadash diktaturë, ky akt ishte arritja më madhore në fushën politike dhe atë të sigurisë kombëtare pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Aktualisht, ushtarakët shqiptarë janë pjesë e mijëra trupave të vendeve të NATO-s, të cilët shërbejnë në operacionet dhe misionet e Aleancës në vendet baltike, Poloni, Rumani, Bullgari dhe në Kosovë. Së fundmi një bazë ajrore e NATO-s u hap në Shqipëri në fillim të muajit mars 2024. Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë të Qarkut të Beratit, sipas autoriteteve shqiptare i jep Shqipërisë një rëndësi të re gjeostrategjike.
Në këtë ditë të të veçantë për shqiptarët mesazhet kanë qenë të shumta nisur nga ai i Ambasadës së SHBA-së, e cila veçon Shqipërinë si 'një partner e aleat i besueshëm demonstron siguri dhe stabilitet'.
"15 Vite së Bashku" shkruan Ambasada në një postim në facebook shoqëruar dhe me një video të këtij momenti të rëndësishëm ku tregohet udhëtimi i Shqipërisë me NATO-n që nga anëtarësimi në NATO.
"Zhvillimi i Shqipërisë në një partner dhe aleat të besueshëm ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm. Sot Shqipëria ka siguri, stabilitet dhe qëndrueshmëri. Së bashku, ne qëndrojmë më të fortë. Edhe shumë vite të tjera si aleatë në NATO!, "-shkruhet ndër të tjera në videon e publikuar nga ambasada.
Urimet dhe mesazhet nuk kanë munguar edhe nga figurat politike. Presidenti Bajram Begaj ndau një mesazh, duke thënë se kjo datë është më e rëndësishmja e historisë sonë kombëtare. Ai shpreh mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve që mbështetën Shqipërinë në këtë rrugëtim. Më tej, Begaj ndalen edhe në rolin dhe kontributin e Shqipërisë në NATO, duke thënë se ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike.
“Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë. Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. “Mirënjohës ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi. Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike. Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje. Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe", shkruan Begaj.
Mministri i Punëve të jashtme Igli Hasani, në një postim në rrjetin social X thotë se 15 vite në NATO janë një rrugëtim solidariteti dhe mbrojtjeje kolektive.
"Pesëmbëdhjetë vjet në NATO. Një rrugëtim i përkushtimit, solidaritetit dhe mbrojtjes kolektive. Shqipëria mbetet një kontribues i përkushtuar i NATO-s , duke qëndruar me krenari me aleatët e saj për të mbështetur vlerat tona të përbashkëta dhe për të përqafuar paqen,"-shprehet Hasani.
Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ndarë një mesazh për 15-vjetorin e futjes së Shqipërisë në NATO. Meta shkruan se kjo është një nga ngjarjet më të mëdha në historinë shqiptare.
"Në këtë përvjetor historik, shpreh falënderimet më të përzemërta ndaj të gjitha vendeve aleate dhe mike, të cilat e mbështetën me shumë besim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kontribuuan në mënyrë të gjithanshme për modernizimin e Forcave tona të Armatosura, në veçanti për Presidentin George W. Bush, i cili edhe me vizitën e tij të paharruar në Tiranë, në vitin 2007, frymëzoi dhe mbështeti përpjekjet e përbashkëta për realizimin final të qëllimit madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Sot gjithashtu kam kënaqësinë e veçantë, të ndaj me ju një moment të paharruar, nënshkrimin në Tiranë më 2 maj 2003 me Sekretarin e Shtetit, Colin Powell të Kartës së Adriatikut, një akt shumë i rëndësishëm që përgatiti anëtarësimin tonë në NATO në mënyrë të pakthyeshme. Ndaj edhe ky përvjetor bëhet edhe më kuptimplotë për shkak se 21 vite pas nënshkrimit të Kartës së Adriatikut, jo vetëm Shqipëria e Kroacia, por lumturisht edhe Maqedonia e Veriut, është anëtare e NATO-s. Partia e Lirisë angazhohet për t'u dhënë mbështetjen e merituar Forcave tona të Armatosura, përmes rritjes të buxhetit për mbrojtjen sipas kërkesave të NATO, si dhe dhënies fund njëherë e përgjithmonë të politizimit të institucioneve të sigurisë kombëtare”, shkruan Meta.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka ndarë mesazhin e tij për 15-vjetorin e futjes së Shqipërisë në NATO me anë të një dokumentari në Facebook që pasqyron rrugëtimin e Shqipërisë nga pranvera e vitit 1991deri në anëtarësimin në NATO më 1 prill 2009. Kujtojmë se disa ditë para 15-vjetorit Berisha u shpreh se Shqipëria nuk plotëson kriteret politike të jetë anëtare e aleancës së NATO-s. Berisha theksoi se opozita shqiptare ishte e para që kërkoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, nga të gjitha opozitat e vendeve ish-komuniste.
"Ju ftoj të ndiqni këtë dokumentar të shkurtër që pasqyron rrugëtimin e Shqipërisë nga pranvera e vitit 1991deri në anëtarësimin në NATO më 1 prill 2009. Dokumentari “Shqipëria në NATO-Ëndrra e bërë realitet”, fillon me artikulimin e parë publik të një partie politike, PD, në fillim të vitit 1991, në një miting në “Qytetin Studenti”, ku shprehej vizioni i anëtarsimit të Shqipërisë në Aleancë. 18 vite më vonë ky vizion u përmbyll me shprehjen ‘This is a miracle of freedom’. Nga fillimi i viteve 1990 deri në vitin 2009, Partia Demokratike udhëhoqi rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në organizatën Traktatit të Atlantikut të Veriut. Më 1 prill të vitit 2009 në një vendim historik, Aleanca e Atlantikut të Veriut pranoi Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, një vendi të izoluar nga diktatura, do të përbente një nga objektivat më madhore të Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj. Partia Demokratike ishte forca e parë politike në historinë e Europës post diktatoriale e cila që në krijimin e saj do të kërkonte anëtarësimin e vendit në NATO. Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992 do të vendoste menjeherë kontaktet dhe do firmoste nismën e Partneritetit për Paqe me Aleancën e Atlantikut të Veriut, e cila do të angazhohej me bashkëpunimin në NATO. Në vitin 2005 qeveria e koalicionit të PD ndërmori me sukses të gjitha reformat e veprimit në rrafshin politik, ushtarak, ekonomik, financiar, social, luftën kunder krimit te organizuar dhe korrupsionit për anëtarësimin e vendit dhe me mbështetjen e madhe të Presidentit Bush dhe qeverise së SHBA,'-shkruan Berisha.
Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla ka dhënë po ashtu mesazhin e saj me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Nikolla shprehet se Shqipëria ka fituar besimin e SHBA dhe aleatëve të tjerë me përkushtimin e saj.
“15 vjet më parë, Shqipëria u pranua anëtare e NATO-s. Si një nga anëtarët më të rinj, Shqipëria është rasti më tipik që dëshmon se kontributi në Aleancë nuk varet as nga madhësia, as nga pasuria, as nga niveli i zhvillimit, as nga historiku dhe jetëgjatësia si anëtare. Por varet nga përkushtimi i sinqertë për paqen. Shqipëria e ka fituar besimin dhe bindjen e ShBA dhe anëtarëve të tjerë të mëdhenj të NATO-s, me përkushtimin e qartë, të vendosur dhe pa asnjë dilemë në zbatimin e vendimeve të Aleancës, në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe lirisë së kombeve,”-shkruan Nikolla.
/ZËRI