Aktualitet

La 4 fëmijë jetim! Shqiptari vret gruan në Itali, e qëlloi me thikë se fliste në telefon

E plagosur, ajo u dërgua në spital, por pas 48 orësh ndërroi jetë.

F.m
La 4 fëmijë jetim! Shqiptari vret gruan në Itali, e qëlloi
Karabinierët në vendin e ngjarjes

ITALI- Etleva Bodi, 31-vjeçe ka ndërruar jetë në spital, dy ditë pasi bashkëshorti i saj, Selami Bodi, 41 vjeç u përpoq ta vriste dhe e la të plagosur me thikë. Mediat italiane shkruajnë se 31-vjeçarja, nënë e katër fëmijëve ishte në terapi intensive, por ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Çifti i shqiptarëve patën një konflikt gjatë natës së të premtes, për shkaqe xhelozie. Siç shkruajnë mediat italiane, Selami Bodi e kishte dëgjuar bashkëshorten të fliste në telefon me dikë dhe kishte hyrë në dhomë duke e kapur për fyti.

Më pas, e ka qëlluar me thikë, por kur ka vënë re se 31-vjeçarja ka humbur ndjenjat, ka lajmëruar urgjencën. E plagosur, ajo u dërgua në spital, por pas 48 orësh ndërroi jetë. Ndërsa autori i krimit të rëndë, një person pa precedentë penalë, u transferua në burgun Marassi, në Genova.

Katër fëmijët e çiftit, të moshës nga 5 deri në 11 vjeç, janë ende të tronditur nga ngjarja dhe për momentin janë në duart e autoriteteve.

Aktualisht fëmijët po qëndrojnë në institucionet italiane, ndërkohë që vëllai i viktikës ka kërkuar ndihmë nga shqiptarët. Në një postim të gjatë të bërë në rrjetin "Gofundme", ku edhe kërkon ndihmë për sjelljen e arkëmortit të të motrës në Shqipëri. Vëllai i të ndjerës ka treguar se e motra ishte e martuar prej 17 vitesh, dhe në 15 vitet e fundit jetonin në Itali. Sa i takon problemeve në çift, i vëllai rrëfen se nuk kanë qenë në dijeni, dhe se motra ishte e mbyllur dhe nuk i tregonte detaje nga marrëdhënia e saj martesore.

“Në 27 tetor më mori në telefon nipi në 12:30 të natës dhe më tha “dajë hajde shpejt se mami ka pësuar atak kardiak dhe është ambulanca te shpia’. Mora makinën dhe shkova, por fatkeqësisht e kishin sjellë në jetë por kishte shkaktuar dëme cerebrale nga mungesa e oksigjenit. Qëndroi gati 18 orë në spital, dhe pastaj ndërroi jetë. Kur shkova te shtëpia, ishte nipi dëshmitar i ngjarjes, ka përjetuar gjithë situatën. Ai ka treguar gjithçka, motra ka qenë e mbyllur në dhomë me nipin. Policia ka telefonin e motrës, nuk ka pasur telefonatë, por ka qenë halucinacioni i tij që ka menduar se ka fol në telefon me dikë. Kur nipi ka hapur derën e dhomës, ka vendosur duart në fyt… Për momentin nipi i madh, është futur dhe në internet, ka parë që mami ka ndërruar jetë. Jam përpjekur që ta ndikoj, të bëhem krah për ta. Nipërit e tjerë akoma nuk e dinë që e ëma ka ndërruar jetë. Ata janë në shtëpi jonë. Motra ka qenë rreth 17 vite e martuar, dhe prej 15 vitesh jetonin në Itali. Probleme kanë pasur si çdo çift, por jo probleme që të arrijnë deri këtu. Ndoshta probleme ka pasur, por i ka mbajtur për vete, ka menduar për fëmijët dhe të mos shkaktojë probleme. Shkaqet kanë qenë xhelozie besoj. Motra ishte person i mbyllur dhe nuk më tregonte shumë, sipas mjekëve ambulanca është thirrur me vonesë. Motra ka qenë e mbyllur në dhomë, dhe burri i saj ka pasur halucinacione se ka qenë duke folur me dikë tjetër,”- tha ai.

Po ashtu, kërkon që edhe fëmijët e saj t'u shkojnë pranë pasi tanimë me nënën e humbur dhe me babanë në burg, kanë mbetur të vetëm në Itali./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB