
Lote të tërë vaj ulliri të markave Dhërmiu, Borsh (Y.Hajdini), Borshi, Sidnej, Lundra, Petrela, Vaj Ulliri Berati po tërhiqen nga tregu pas analizimit të kryer nga AKU në disa laboratorë në Itali. Sipas të dhënave që Zëri disponon, 7 kompani kanë rezultuar me përzierje vajrash vegjetalë dhe përmbajtje pesticidesh mbi normë në vajin e ullirit që tregtojnë masivisht në marketet shqiptare.
Lajmi u bë i ditur nga qendra Alert dhe pas interesimit të Zërit pranë AKU-së, burime brenda këtij institucioni pohojnë duke u shprehur se deri më tani sasia e vajit të ullirit që ka rezultuar me përmbajtje pesticidesh dhe përzierje vajrash të tjerë vegjetalë është tërhequr pjesërisht nga tregu.
-
KUJDES! Kjo është lista me vajrat që nuk duhet të blini
28 Dhjetor, 16:57
Gjithashtu kompanitë që kanë tregtuar këto marka, janë gjobitur me 200 mijë lekë, por në lidhje me këtë skandal asnjë informacion nuk është dhënë nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit e cila së pari duhet të informonte konsumatorin për të mos blerë e konsumuar vajin e markave të mësipërme ose të kthente në pikën e blerjes produktin e kontaminuar. Gjithashtu ende nuk ka asnjë informacion për markat e tjera të vajit të ullirit që tregtohen në markete, pasi nuk janë analizuar nga institucionet përgjegjëse.
Alert ka mundur të mësojë se, në kuadër të Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë dhjetra mostra vaji ulliri “Made in Albania” dhe i ka analizuar në Itali, në laboratorin “Chemiservice”. Sipas analizave të referuara nga laboratori italian, vetëm 1 mostër ka dalë konform legjislacionit dhe dhjetëra tjera nga 7 kompanitë e sipërpërmendura, ndërsa gjithë të tjerat kanë treguar se vajrat e ullirit, disa kanë norma të papastërtisë, gjë që do të thotë se janë të përzier më vajra të tjerë si luledielli apo mistri, disa kanë përmbajtje të lartë persticidesh etj. Në shumicën e analizave kanë rezultuar jashtë normave të lejuara acidet yndyrore si acidi linolenic, acidi erucic, që janë tregues se vaji i ullirit mund të jetë përzier me vaj vegjetal.
Gjithashtu, nga analizat e “Chemiservise” tregohet se shumica e vajrave kanë përmbajtje të acideve yndyrore trans, një tregues ky i një vaji të rafinuar, jo vaji ulliri. Treguesit e raport-analizës që kanë dalë jashtë normave të lejuara referuar standardeve të Bashkimit Evropian dhe VKM-së Nr.235, datë 21.03.2017, janë tregues të papastertisë së vajit të ullirit. Gjithashtu, edhe sasia e lartë e dyllrave (wax ose cera), sipas analizave, tregon pastërtinë dhe cilësinë e vajit të ullirit. Rritja e këtij komponimi mund të vijë dhe si rezultat i një cilësie jo të mirë të frutit, sidomos kur është prekur nga disa sëmundje, apo dhe frutat që kanë kaluar temperatura të larta gjatë kohës së pjekjes, mund të rrisin sasinë e këtyre komponimeve.
Këto të dhëna tregojnë abuzimin nga vetë prodhuesit. Kjo, pasi treguesit e mësipërm vërtetojnë faktin se prodhuesit shtojnë në vajin e ullirit vajra të tjerë si ai i lulediellit apo nga vaji i gjembaçit indian Safflower Carthamus Tinctorius, sasi nga i cili importohen jo pak në Shqipëri.
Por, më të rrezikshme janë mbetjet e pesticideve që kanë rezultuar në këto vajra, kryesisht insekticide dhe fungicide. Disa prej pesticideve që kanë rezultuar në vajrat e ullirit, deri në dhjetra herë më të larta se normat e lejuara janë Chlorperyfos Ethyl, Difenocoleazole, Diphenylamine, Boscalid, Cypermethine, Deltamethrine dhe Lambda Cyhalothine.
Por, askush nuk mund të thotë diçka të saktë për produktet që janë në treg. Sepse duke qenë të paanalizuara, janë dhjetëra lote të tjera për të cilat nuk ka asnjë garanci që nuk janë në gjendjen e atyre të analizuara.
Nga verifikimet e bëra, janë me qindra tregtarë, fermerë, të cilët u kanë shitur ullinjtë apo vajin e ullirit prodhuesve. Dhe, sipas dokumenteve të gjurmueshmërisë e faturave tatimore, ata mund të verifikohen, por është shumë vonë për të marrë masa ndaj tyre, për faktin se tashmë nuk ka asnjë të dhënë për PMB-të që kanë përdorur në ullinj, kushtet si i kanë vjelur, sa i kanë mbajtur në thasë, apo si e kanë ruajtur vajin e ullirit, ata apo fabrikat./ Zëri