Aktualitet

Skandali me aksidentin në Prrenjas, pse u lirua shoferi që mori para 6 familjarë, ishin 30 metra larg rrugës

Parakalim i gabuar, shpejtësi tej normave, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, 6 të plagosur dhe më pas 1 viktimë, nuk i mjaftuan policisë që të arrestonte Jetmir Dacin

E.K
Skandali me aksidentin në Prrenjas, pse u lirua shoferi që mori para 6
Eneida Pishkashi dhe Jetmir Daci

PRRENJAS- Një skandal i paprecedentë ka ndodhur javën e kaluar në vendin tonë, ku një person që ka shkaktuar një aksident fatal në aksin Prrenjas-Qafë Thanë, është lënë i lirë edhe pse e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Jetmir Daci u vu në pranga, vetëm pas vdekjes së 24-vjeçares Eneida Pishkashi, e cila mbeti e plagosur rëndë, dhe ndërroi jetë të shtunën në spitalin e Traumës në Tiranë. E reja, së bashku me prindërit dhe dy motrat e saj ishin kthyer në Shqipëri, dhe ishin ndalur për të takuar gjyshen e tyre, nga ana e të ëmës. Teksa ata ndodheshin jashtë makinës së tyre, rreth 30 metra larg rrugës, mjeti që drejtohet nga Daci, pas një parakalimi të gabuar, i ka marrë para 6 anëtarët e familjes, duke i përplasur disa metra më tej.

Pas ndalimit nga policia, shoferi 44-vjeçar rezultoi i dehur në nivelin 0.40 mg/l, dhe megjithatë u la i lirë. Daci ka konsumuar disa vepra penale, përfshirë parakalimin e gabuar, në një segment të rrugës që nuk lejohet, drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, dhe shpejtësinë tej normave të lejuara.

Megjithatë ai do të lihej i lirë për disa ditë, derisa të vihej në pranga. Nuk dihet ende nëse autoritetet kanë nisur një hetim për lirimin e Dacit, ndërkohë që policia lokale ka qenë e rezervuar në dhënien e informacionit në lidhje me aksidentin. Në lidhje me këtë aksident, u pyet pak ditë më parë dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ndërsa tha se do të kishte një hetim për procedurat e ndjekura nga policia në rastin e Dacit.

Nga ky aksident i rëndë mbeti e plagosur edhe vajza tjetër e familjes 10 vjeçe e cila ka thyer këmbën e po ashtu fraktura ka pësuar dhe vajza 6-vjeçare. /ZËRI 

 

Poll

MOS HUMB