
TIRANË- Skaneri në burgun e Peqinit nuk ka qenë funksional. Lajmin e ka konfirmuar për ZËRI, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Në një email që ZËRI ka dërguar pranë zyrës për shtyp më 21 dhjetor, ka marrë sot një përgjigje zyrtare. Në emailin e dërguar për median tonë, nga “DPB” bëhet me dije se skaneri ka pasur probleme, të cilat janë raportuar, por duke qenë se ka qenë një dëmtim i rëndë, nuk është mundur që të rregullohej shpejt. Ndaj dhe kontrolli është bërë me metoda alternative.
“Skaneri ka patur probleme me bordin qendror. Ky problem është raportuar por defekti ka qenë i rëndë dhe riparimi i tij ka zgjatur disa ditë. Megjithatë sqarojmë së: për kontrollin e personave, sendeve, ushqimeve, që hynë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ka disa mjete kontrolli.”
Por që mesa duket kontrollet rastësore që kanë zhvilluar nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndalur futjen e armës së zjarrit brenda në ambientet e burgut të Peqinit, ku Sokol Mjaçaj qëlloi për vdekje Arben Lleshin, e plagosi shokun e tij të qelisë, Indrit Shaqjan.
PYETJE-PËRGJIGJET E PLOTA:
1. Në redaksinë Zëri kanë ardhur informacionet se skaneri dhe kamerat e sigurisë brenda në burgun e Peqinit nuk kanë qenë funksionale. A është e vërtetë?
- Sistemi i monitorimit me kamera ka qenë në funksion.
2. A kanë qenë kamerat gjithë kohës të ndezura përgjatë muajit të fundit?
- Kamerat kanë qenë të gjithë kohën të ndezura dhe nuk mund të fiken asnjëherë pasi në çdo kohë janë 2 punonjës me shërbim që monitorojnë.
3. Skaneri ka pasur probleme? E nëse po, a i keni raportuar?
-Skaneri ka patur probleme me bordin qendror. Ky problem është raportuar por defekti ka qenë i rëndë dhe riparimi i tij ka zgjatur disa ditë. Megjithatë sqarojmë së: për kontrollin e personave, sendeve, ushqimeve, që hynë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ka disa mjete kontrolli.
Më 30 nëntor u publikua shkresa e dërguar nga drejtori i komanduar i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha për drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Admir Abrija, ku e informonte skaneri në burg nuk punonte. Por në fakt skaneri kishte 1 muaj që ishte plotësisht jashtë funksionit.
“Skaneri për kontrollin e bagazheve nuk funksionon që nga data 21.10.2023,”-thuhet në shkresë.
Po ashtu, raportohej se kamerat ishin gjithashtu me probleme, pavarësisht se ku fakt hidhet poshtë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
“Sistemi i monitorimit të kamerave të sigurisë ka probleme me teknologjinë, në regjim të brendshëm ka ambiente të përbashkëta që përdoren për aktivitete të ndryshme me të burgosurit si klasa, palestra, dhoma takimesh me familjarë/virtuale online, takime me avokatët, rrugëdaljet për në ajrosje që janë të pa monitoruara nga kamerat e sigurisë. Në të dyja godinat, sektorët mbulohen vetëm me një kamera, por duke pasur parasysh faktin se sektorët kanë një gjatësi të konsiderueshme, e bën të pamundur mbulimin vetëm nga një kamera,”-thuhet në shkresë.
Megjithatë pavarësisht paralajmërimeve, asnjë masë nuk u mor, duke shkaktuar kështu një akt të paprecedentë, një vrasje me pagesë brenda burgut./ZËRI