TIRANË- Në 13 dhjetor të vitit 2024, Gjykata e Shkallës së Parë Fier urdhëroi kompaninë Bankers që t’i paguante rreth 600 mijë dollarë paga, ish drejtorit të saj Leonidha Çobo për largimin e tij nga puna. Me vendimin e gjykatës dhe urdhrin përkatës të ekzekutimit, Çobo kontraktoi një zyrë përmbarimore për të mbledhur borxhin nga Bankers. Zyra e quajtur Private Enforcement Group tentoi të gjejë para të Bankers në bankat shqiptare, por pa sukses. Të gjendur para këtij fakti, përmbaruesit gjetën një metodë tjetër për të marrë paratë e klientit të tyre: bllokuan skrapin e shtetit për ta shitur me qëllim që të merrnin paratë, që Bankers duhet t’i paguante ish drejtorit të saj. Sipas Kapitalit, pavarësisht paralajmërimeve nga AKBN, si përfundim, skrapi iu shit kompanisë Shkëlqimi 07, në pronësi të ish-kryetarit të bashkisë së Ballshit, Shkëlqim Kapllanaj, me një çmim sa gjysma e çmimit të këtij produkti në treg. Vlera totale e skrapit që mori kjo kompani ishte 1.2 milionë euro. Por ajo i pagoi përmbaruesit vetëm 600 mijë euro, aq sa borxhi që Bankers duhet t’i paguante Leonidha Çobos.
/ZËRI