Aktualitet

Sot Kurban Bajrami, besimtarët falin namazin në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'

Në fjalën e tij, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu uroi besimtarët si dhe u shpreh se shpresonte që kjo ditë të shërbejë si një ditë reflektimi për më shumë dashuri me njëri-tjetrin.

E.K
Sot Kurban Bajrami, besimtarët falin namazin në bulevardin
Besimtarët në bulevardin "Dëshmorët e Kombit"

TIRANË- Mijëra besimtarë myslimanë janë mbledhur këtë të dielë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Falja nisi në orën 06:00. Ndryshe nga herët e tjera ku falja e namazit është bërë në sheshin “Skëndërbej”, këtë vit Euro 2024 dhe ngritja e ‘’Fan Zone’’, spostoi besimtarët myslimanë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Në fjalën e tij, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu uroi besimtarët si dhe u shpreh se shpresonte që kjo ditë të shërbejë si një ditë reflektimi për më shumë dashuri me njëri-tjetrin.

Ndërkohë falja e namazit është bërë në disa qytete të Shqipërisë, si në Korçë, Elbasan dhe Lushnjë, ku besimtarët u bënë bashkë në orën 06:00 për të uruar Kurban Bajramin dhe lutur për më shumë begati. Në Durrës besimtarët u mblodhën në xhaminë e madhe të qytetit, ndërsa dhe në Shkodër besimtarët kanë falur namazin e Kurban Bajramit në sheshin kryesor të qytetit.

Peshkopi, rreth 2000 besimtarë dibranë falën Namazin e Kurban Bajramit në stadiumin e qytetit të Peshkopisë. Ndërsa në Vlorë, falja e namazit u bë në sheshin e “Flamurit”. Edhe në Fushë-Krujë e Bulqizë, besimtarët myslimanë falën namazin e Kurban Bajramnit dhe u lutën për më shumë mirësi dhe begati.

Festën e Kurban Bajramit e kanë uruar këtë të dielë dhe Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Bajram Begaj. Përmes postimeve në rrjetet sociale ata uruan besimtarët. Kreu i shtetit, shkruan se, ‘’Kurban Bajrami është akt arsyeje dhe vullneti, me anë të të cilit ne kuptojmë madhështinë e mesazhit hyjnor dhe përpiqemi të përmbushim rolin tonë për të bërë të mira e për t’iu gjendur pranë atyre që nuk kanë mundësi’’.

Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijoj djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhërit të Zotit, para se Zoti të ndërhyj, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftoj Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjese; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Ndryshe është njohur edhe si Bajram i haxhive, sepse brenda ditëve të këtij bajrami kryhet edhe pelegrinazhi ritual në Mekë. Në kalendarin hixhri, Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.

ZËRI uron të gjithë besimtarët myslimanë, gëzuar Kurban Bajramin…!/ZËRI

Poll

MOS HUMB