Aktualitet

SPAK konfirmon arrestimin e Ilir Beqajt, kush janë dy personat e tjerë që ranë në pranga

ZËRI ka mësuar se bashkë më Beqajn, në pranga kanë rënë edhe Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla.

E.K
SPAK konfirmon arrestimin e Ilir Beqajt, kush janë dy personat e tjerë
Ilir Beqaj

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj, duke konfirmuar lajmin, ndërsa në vijim pritet që të japin një njoftim zyrtar në lidhje me shkaqet që çuan në pranga ish-zyrtarin e lartë socialist.

“Duke marrë në konsideratë kërkesat tuaja për informacion lidhur me arrestimin e shtetasit Ilir Beqaj, ju konfirmoj se, sot është kryer arrestimi e këtij shtetasi në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për një informacion më të plotë, SPAK do të vijojë më pas me një njoftim zyrtar për shtyp,” thuhet në një reagim zyrtar.

ZËRI ka mësuar se bashkë më Beqajn, në pranga kanë rënë edhe Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla.

Edhe avokati i Beqajt ka konfirmuar arrestimin e tij, ndërsa mësohet se operacioni është ekzekutuar nga policia e Tiranës rreth orës 07:00 të mëngjesit të sotëm. Beqaj ndodhej në banesën e tij në momentin e arrestimit nga policia. 

Nga të dhënat e para mësohet se Beqaj është arrestuar me akuzën e korrupsionit për fondet e donatorëve.

Ilir Beqaj ka abuzuar me fondet e BE-së gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAC.

Përmes njerëzve të besuar ku njëri prej tyre është Ermal Kurtulaj, drejtues i projektit Eusair, pranë agjencisë, ata dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash, përmes faturave fiktive për shërbime të pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.

Agjencia në fjalë “në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe komunitetin e donatorëve do të koordinojë të gjithë ndihmën e huaj që do të marrë qeveria shqiptare për programe dhe projekte zhvillimore”.

Ish-ministri po hetohet nën masën e sigurisë "detyrim me paraqitje" për "shpërdorim detyre" lidhur me kontratën koncesionare të sterilizimit në kundërshtim me ligjin./ZËRI 

Poll

MOS HUMB