
TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, pasi është marrë për 9 orë në pyetje në ambientet e SPAK, ka dalë prej andej gjatë pasdites së sotme.
Beqaj u mor në pyetje gjatë ditës së sotme për koncesionin e Sterilizimit. Ai deklaroi se do të vazhdojë që të merret në pyetje nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, pasi hetimi për rastin është kompleks. Beqaj ka njoftuar se sot ka marrë nga SPAK dy dokumente të një udhëtimi jashtë vendit, që kanë qenë të sekuestruara.
Ilir Beqaj: Besoj se hetimet, mesa kemi parë deri tani, janë ende shumë të ngushta dhe është e domosdoshme që të shtrihen në dy pjesë. Së pari nga marsi 2011 deri në shtator 2013 për të hetuar tashmë pse 2 vite e gjysmë u mbajt në qese centrali dhe nuk u vu asnjëherë në punë. Tashmë janë bërë 8 vite nga zbatimi i kontratës për të hetuar se kush janë përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe të buxhetit të shtetit nga zbatimi i kësaj kontrate. Sot gjithashtu prokurorët më komunikuan që unë do të kem së shpejti ato sende, që janë sekuestruar më datë 28 dhjetor, por që lidhen me vazhdimin e hetimit për Sterilizimin. Sot kam marrë 2 dokumente, që kanë lidhje me udhëtime jashtë vendit. Pasi të përfundojnë inskeptimet e pajisjeve elektronike të marra në shtëpi, do të më kthehen. Besoj se është e rëndësishme të thuhet se sot u sqarua edhe fakti që gazi dhe aneksi tetë, që ka qenë në gojët e juaja nga 28 dhjetori deri më sot, kanë lidhje me Sterilizimin dhe nuk kanë asnjë lidhje me çështjen tjetër.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj prej 9 orësh u mor në pyetje për koncesionin e Sterilizimit. Beqaj prej orës 09:00 të mëngjesit është paraqitur në SPAK së bashku me avokatin Ermal Yzeriraj. Beqaj është paraqitur në lidhje me hetimet për koncesionin e sterilizmit, ndaj të cilit Prokuroria e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë 'detyrim paraqitje'.
Për ish-ministrin e shëndetësisë kjo është hera e tretë që merret në pyetje për çështjen e sterilizimit. SPAK i ka vendosur masën “detyrim paraqitje” në ambientet e SPAK, çdo të premte në orën 15:30 minuta. Po ashtu i ka bllokuar pasaportën Beqajt, teksa i ka caktuar masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Ish-ministri akuzohet për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”, sa i përket procesurës së dhënies së koncesionit të sterulizimit, në kohën që ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ilir Beqaj ndërkohë që po hetohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, sipas gjyqtarit Erjon Bani, Beqaj edhe ka falsifikuar vula, stampa dhe formularë. Në funksion të hetimeve, në fund të vitit 2023, u ushtruan kontrolle në banesën dhe disa kompani farmaceutike në pronësi të Beqajt./ZËRI