Aktualitet

'Sterilizimi'/ Në 3 Tetor do të merret në pyetje Ilir Beqaj, Gjergji Koja: Nuk kam lidhje me koncensionin

Komisioni pritet të marrë në pyetje më 3 tetor edhe ish-ministrin e shëndetësisë, Ilir Beqajn

I.F
'Sterilizimi'/ Në 3 Tetor do të merret në pyetje Ilir
Gjergji Koja

TIRANË- Komisioni Hetimor për koncensionet në shëndetësi mori në pyetje ish-drejtorin e monitorimit të infeksioneve spitalore, Gjergji Koja. Por, ai tha se nuk kishte asnjë lidhje me koncensionin e sterilizimit dhe check-up pasi në atë kohë që ai ishte drejtor bëheshin vetëm monitorime dhe inspektimet nuk ishin detyrë e tij.

"Nuk kam asnjë lidhje me objektin e komisionit tuaj parlamentar qoftë për check-up qoftë për sterizilimin. Në atë kohë që kam qenë unë bënte monitorime, jo inspektime. Inspektimi është atribut i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor", dëshmoi Koja.

Komisioni do të vijojë me marrjen në pyetje të zyrtarëve të tjerë që ishin pjesë e komisionit të vlerësimit që përcaktuan kompanitë fituese. Komisioni pritet të marrë në pyetje më 3 tetor edhe ish-ministrin e shëndetësisë, Ilir Beqajn, i cili ndodhet në paraburgim, së bashku me zëvendësministrin Klodjan Rrepaj dhe biznesmenin, Ilir Rrapaj.

Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u arrit pas një marrëveshjeje mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim ishin edhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Ky i fundit, ka përfunduar në pranga pasi ishte nën hetim për 1 vit, për abuzimin me fondet e BE, gjatë kohës kur drejtonte SASPAC. 

Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini. Më 18 mars SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit. /ZËRI

Poll

MOS HUMB