
TIRANË- Çdo student i Mjekësisë nga viti i dytë në të gjashtin, që nuk pranon kushtin e punësimit të detyrueshëm në Shqipëri pas studimeve, do të paguajë një tarifë vjetore prej 240 mijë lekësh të rinj. Kjo është shifra e miratuar së fundi në Universitetin e Mjekësisë, ndërkohë që 400 studentët e vitit të parë nuk e kanë një mundësi zgjedhje. Ata do të jenë të detyruar që të punojnë për 5 vite, në rast se duan që të pajisen me një diplomë.
Si është llogaritur kostoja e studimit, e cila nuk ishte përcaktuar në projektligj?
Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se kostoja është përllogaritur nga një grup i posaçëm pune në Universitetin e Mjekësisë, referuar vendimit të Këshillit të Ministrave për këtë çështje. Kjo tarifë u diskutua në Rektorat, kaloi në senatin e universitetit dhe firmën e fundit e ka dhënë Bordi i Administrimit, pasditen e së hënës. Tashmë i njëjti ekip është duke përgatitur dhe kontratën që do të duhet të nënshkruajë secili prej studentëve.
Ata që refuzojnë kontratën do të paguajnë 2.4 milionë lekë të vjetra tarifën e shkollimit. Të pyetur në lidhje me bojkotin e studentëve, drejtues të Fakultetit të Mjekësisë thonë se po zbatojnë ligjin ashtu siç duhet të veprojnë edhe studentët.
Studentët e viteve të para- Punësim i detyruar për 5 vite në Shqipëri, nuk kanë të drejtë zgjedhje
Studentët nga viti i 2-të deri në vitin e 5-të- 3 vite punësim i detyruar në Shqipëri, ose tarifë 2.4 milionë lekë
Studentët e vitit të 6-të- 2 vite punësim i detyruar në Shqipëri, ose tarifë 2.4 milionë lekë
Prej dy javësh studentët e Mjekësisë kanë bojkotuar auditoret, me shpresën se protesta e tyre do të dëgjohet, por megjithatë shanset që kjo të ndodhë janë të pakta, pasi Universiteti ka vijuar me procedurat e përpilimit të kontratave. Studentët edhe dje protestuan dhe marshuan në drejtim të Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që mbetet në pikëpyetje vijimi i vitit akademik. /Zëri.ai