
BULQIZË- Të shtëna me armë zjarri janë shënuar në Bulqizë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme rreth orës 17.30, në aksin Bulqizë-Fushë Bulqizë. Fadil Ternova mësohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti të parkuar, në pronësi të Afrim Petit. E gjithë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që të dy kanë pasur me njëri-tjetrin në afërsi të një karburanti mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës në rrugën e Arbrit. Pas konfliktit verbal, Ternova ka nxjerrë armën e zjarrit, tip kallashnikov dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një mjeti që ishte parkuar aty pranë, makinë e cila ishte në pronësi të një personi tjetër, pa asnjë lidhje me ngjarjen.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasoja në njerëz, ndërkohë që në vendin e ngjarjes është vënë në kërkim autori.
NJOFTIMI I PLOTË:
Bulqizë/informacion paraprak
Rreth orës 17.30, në aksin rrugor Bulqizë-Fushë Bulqizë, shtetasi F.T., dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të parkuar, në pronësi të shtetasit A.P. Nga të shtënat nuk ka persona të dëmtuar. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe ato të Komisariatit Bulqizë, po kontrollojnë zonën me qëllim kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI