
TIRANË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Tiranë, ku Ervis Nela ka mbetur i plagosur nga kushëriri i tij Mario Nela,pas një konflikti me motive të dobëta. Sipas njoftimit të Policisë kanë qënë tre autorë, dy prej të cilëve janë kapur dhe njëri është akoma në kërkim. Nela ka marrë një plumb në këmbë dhe është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu Policia ka bërë me dije se ka sekuestruar një armë gjahu dhe një pistoletë zhurmuese.
Njoftimi i Policisë:
Plagosën me armë zjarri një shtetas, identifikohen 3 autorët e dyshuar.
Shoqërohen në Polici 2 prej tyre dhe vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë gjahu dhe një pistoletë zhurmuese.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, pas marrjes së njoftimit se, ditën e sotme ishte paraqitur në spital për ndihmë mjekësore një shtetas, dyshohet i plagosur me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.
Nga veprimet e shpejta hetimore u bë identifikimi i autorëve të dyshuar, shtetasve G. N., E. N., dhe M. N., të cilët pas një konflikti për motive të dobëta, ditën e sotme, në afërsi të vendit të quajtur "Rrethrrotullimi i 3-shit", dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin E. N., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasit G. N., dhe E. N., janë shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme dhe vijon puna për kapjen e shtetasit M. N.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë gjahu dhe një pistoletë zhurmuese.
Materialet i kaluan Prokurorisë.