
LEZHË-Fatbardh Ismaili, 30 vjeç është vënë në prangat e Policisë së Kurbinit këtë të dielë pasi ishte shpallur në kërkim për "Vrasje me dashje, mbetur në tentativë". I riu kishte qëlluar në drejtim të automjetit të ish-deputetit socialist të Kurbinit Armando Prenga. Ngjarje e ndodhur më 17 maj të vitit të shkuar. Ismaili u arrestua në Fushë Kuqe. Shkak për përplasjen mes tij dhe Prengës dyshohet se është bërë një konflikt fizik që babai i Fatbardh Ismailit ka patur më 15 maj me ish-deputetin, një ditë pas zgjedhjeve vendore. Konflikti ndodhi gjatë procesit të numërimit të votave. Dy ditë pas sherrit që Prenga kishte pasur me të atin, 30-vjeçari tentoi të marrte hak, duke qëlluar në drejtim të automjetit të ish-deputetit. Ky i fundit po lëvizte i vetëm në aksin rrugor Laç-Mamurras. Ismaili qëlloi tre herë ndaj Prengës, por fatmirësisht asnjëri nga plumbat nuk e preku.