
DURRËS-Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Durrës, ku babai mbajti peng prej 5-orësh dy fëmijët e tij të mitur dhe nisi të qëllonte me breshëri brenda banesës. Siç raporton TCH bëhet me dije se në gjendje të dehur dhe nën efektin e lëndëve narkotikëve, Aleks Marku dyshohet se ka parë veten në pasqyrën e dhomës së gjumit dhe është trembur.
Sipas dëshmisë së fëmijëve në polici, Aleks Markut i është dukur se po e sulmojnë brenda në shtëpi dhe ka nisur të qëllojë me kallash. Djali i madh 11 vjeç është përpjekur ta qetësojë të atin dhe ta mbajë larg vëllanë më të vogël.
“Kemi qenë në gjumë kur babai nisi të thërrasë se po sulmoheshin nga armiku.Ai thoshte armiku po vjen te dera dhe qëllonte me armë nga ballkoni.Edhe kur erdhi policia ai thërriste dhe qëllonte", kanë thënë fëmijët.
Aktualisht, 40-vjeçari ndodhet në ambientin e Komisiatit të Durrësit, ku po kryehen analizat për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, ashtu siç pretendon edhe vetë duke theksuar disa herë se "nuk ka qenë i vetëdijshëm" në momentin kur ka qëlluar mbi efektivët e forcave RENEA. Marku portretizohet nga të afërmit e bashkëshortes si një person me probleme, që ushtronte edhe dhunë në familje, ndaj e shoqja kishte vendosur që të largohej drejt Italisë. Duke qenë se ajo është larguar, ai ka marrë fëmijët me forcë nga Lezha dhe është zhvendosur në Durrës. Probleme kishte edhe në Itali, ku ka qenë i dënuar për vjedhje./ZËRI