
GREQI- Detaje të reja janë mësuar lidhur me kokainën që po vinte nga Amerika e Jugut në drejtim të Durrësit, por që u kap në portin e Pireut në Greqi. Policia gjeti në Pire më shumë se 210 kilogramë kokainë, të fshehur mes karkalecave, e cila nëse do të shitej në treg do të kapte fitimin e 5 milionë eurove. Siç duket edhe nga pamjet, pakot e kokainës, rreth 180 të tilla, kishin të stampuar sipër një kafkë dhe logon "SPARTA" mbi to, ndoshta si një sinjal për pronarin e kokainës. Megjithatë nga ngarkesat e kapura deri më tani nuk ka pasur asnjë logo të ngjashme.
Kush ishte "përgjegjës" për drogën?
Siç rezultoi nga hetimet policore, organizatori i organizatës është një 48-vjeçar shqiptar me 3 emra: Azdren Muharremi por përdorte edhe emrat Andrea dhe Jasona dhe mbiemrin Mërkuri. Shqiptari kujdesej për gjetjen e kokainës, financimin e blerjes dhe transportit, organizimin e dërgesës së drogës nga Panamaja drejt vendeve evropiane. Partner kishte 36-vjeçari po nga Shqipëria, Marsel Stafaj, i cili merrej me gjetjen dhe rekrutimin e shtetësave grekë që do ta kalonin drogën. Dy grekët e arrestuar janë: Alexandors Merkouris dhe Ioannis Viglakis. Një nga dy grekët ka vuajtur një dënim me burg në SHBA me akuzën e lidhjeve me organizatën FARC (Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë – Ushtria Popullore).
Por kur vetëm 4 janë vendosur në pranga, ende nuk dihet se kush janë anëtarët e tjerë të organizatës kriminale.
PAMJET E OPERACIONIT:
Përveç drogës, gjatë aksionit të Policisë u gjetën dhe sekuestruan 131 mijë euro, një armë zjarri tip "Glock" me 15 fishekë dhe 17 telefona celularë. Aktualisht vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së paligjshme të organizatës kriminale, ndërsa të prangosurit pritet që të dalin para drejtësisë./ZËRI