SPANJË-Në një operacion masiv në Spanjë janë arrestuar 76 persona dhe janë sekuestruar 687 kg kokainë dhe 2,500 kg hashash, ku pjesa më e madhe e drogës dyshohet se vinte nga klani shqiptar “Vokri”. Gazeta spanjolle ABC.es raporton se Garda Civile dhe Policia Kombëtare zbuluan se rrjeti kriminal drejtohej nga Emanuel Vokri, Donald Vokri, Robert Muka dhe Mario Vreta, me lidhje ndërkombëtare, duke përfshirë edhe elementë rumunë dhe shqiptarë, dhe operonte kryesisht në Ibiza, Barcelonë dhe Valencia.
“Kjo do të ishte një organizatë ndërkombëtare me një karakter të fortë familjar, me seli kryesisht në Ibiza, Barcelonë dhe Valencia. Ata do të ishin përgjegjës për futjen e sasive të mëdha të kokainës, kanabisit dhe armëve në Spanjë, duke u mbështetur në kontaktet e tyre ndërkombëtare shqiptare që ushtrojnë një kontroll të caktuar global në botën e trafikimit të drogës”, përshkruan një nga raportet e policisë.
Dokumentet e hetimit tregojnë biseda për armë automatike tip Kalashnikov dhe sasi të mëdha kokainë, duke vërtetuar korrupsion dhe rrjet ndërkombëtar kriminal.
Operacionet e organizatës kriminale mbështeteshin te Stefan Milojevic Bjekovic , djali i një ish-futbollisti të Mallorca CF, udhëheqës i bandës neonaziste të motorçiklistëve United Tribuns në Spanjë dhe një luftëtar i MMA-së, i cili tashmë është arrestuar. Ky hetim, i kryer bashkërisht nga Garda Civile dhe Policia Kombëtare, çoi gjithashtu në arrestimin e Faustino Nogales , ish-kreut të Grupit II të Njësisë së Narkotikëve të Policisë Kombëtare në Ishujt Balearik.
Agjentët e Punëve të Brendshme regjistruan takime dhe biseda midis Milojeviçit dhe Nogales. ABC ka pasur qasje në disa nga dokumentet hetimore. Një nga këto takime daton që nga 7 marsi 2025, kur një bisedë u regjistrua brenda një automjeti. Kreu i bandës së motoçiklistëve i tregon Faustinos një seri armësh. Disa janë të gradës ushtarake dhe të ngjashme me AK-47, “Kalashnikov “, dhe madje “përmendin 10,000 euro si çmim shitjeje”. Kjo shumë mund të ndryshojë për shkak të ndikimit të Stefanit mbi shitësin: “Më lini rehat, do t’i flas me të ëmbël.”
Rrjeti i “Vokri” u fokusua në portin e Valencias dhe Ishujt Balearik, duke e bërë këtë një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut shqiptar në Spanjë. Hetimet zbuluan lidhje edhe me klanin malazez Kavaç, të njohur për dhunë dhe ekzekutime ndaj tradhtarëve, duke vërtetuar përfshirjen e këtij rrjeti në tregun ndërkombëtar të drogës.
“Dihet mirë se klani Kavac ka reputacion për vrasjen dhe copëtimin e njerëzve që i tradhtojnë ose janë armiqtë e tyre . Lidhur me bisedat, është shumë e qartë se ngarkesa e kokainës që do të sillej në Ibiza dhe më vonë do të dërgohej në Valencia i përkiste kësaj mafie malazeze”,-thuhet në një nga raportet e policisë.
Një nga lëvizjet e fundit në këto procedura është që Gjykata e e Palmës ka refuzuar ankimet për pavlefshmërinë që kishin kërkuar mbrojtësit e disa prej të hetuarve. Në të njëjtën mënyrë, është refuzuar edhe lirimi i tre të arrestuarve që vazhdojnë të jenë në paraburgim për këto ngjarje.
Inspektori i përfshirë i policisë ka kërkuar të thirren në dëshmi drejtuesit e Doganave dhe të Shërbimit Fiskal si dhe të Kufijve të Guardia Civil. Mbrojtja beson se dëshmia e këtyre funksionarëve do të ndihmojë në kontekstualizimin e veprimeve që po shqyrtohen nga Drejtësia. Nogales është në paraburgim që nga gushti. Këto procedura rezultuan me 76 të arrestuar dhe konfiskimin e 687 kilogramëve kokainë dhe 2.500 kilogramëve hashash.