TIRANË-Aksi rrugor Librazhd-Qafë Thanë u 'paralizua' ditën e djeshme (1 shkurt) prej rreth 7 orësh, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh nga mali në zonën e njohur si "Kthesat e Dragostunjës". Shoferët në të dyja drejtimet e rrugës mbetën të bllokuar që prej orës 11:00 qarkullimi në këtë aks ka qenë totalisht i bllokuar, duke shkaktuar kaos dhe radhë të gjata automjetesh. Vetëm në orën 18:00 të mbrëmjes u hap njëra prej korsive.
7 orë bllokim por kush ishte aryeja?
Kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli në një prononcim për mediat, u shpreh se shembja ndodhi për shkak të reshjeve të shiut. Sipas tij në atë zonë ndodhet një shpat që për shkak të reshjeve të shumta është i mbingopur me ujë dhe kjo ka shkaktuar edhe rrëshqitjen e dherave.
“Situata vjen për shkak të reshjeve të dendura të cilat kemi javë të tëra qe i raportojmë. Dallohet qartë mbingopja e shpatit me uji kjo ka shkaktuar rrëshqitje. Kjo është vetëm për shkak të fenomenit natyror. Kur po vija në vendngjarje pash në media të caktuara se është raportuar se ka ndodhur për shkak të punimeve që po kryhen. Kjo është vetëm për shkak të fenomenit natyror dhe nuk lidhet me punimet ose diçka tjetër. Ka një gatishmëri të kontraktorit të mirëmbajtjes dhe nga ana e kontraktorit që ishte ne afërsi duke sjellë ne dispozicionet mjetet e tij. Po ndodh pastrimi edhe nga ajo që diskutova me inxhinierin do të ndodhë brenda 30-40 minuta”, tha ai.
Pas drejtorit të ARRSH, edhe deputeti i PS, Olsi Komiçi, u shpreh se rrëshqitja e dherave në aksin Librazhd–Prrenjas ishte fenomen natyror, dhe jo pasojë e punimeve tek traseja e re rrugore që po ndërtohet pak më sipër. Komiçi deklaroi se firma dhe qeveria nuk kanë asnjë faj dhe për këtë arsye kritikat nuk e kompleksojnë.
“Pas rreth shtatë orë pune pa pushim, me dy fadroma e tre skrepa të fuqishëm, firma që mirëmban këtë segment të rrugës nacionale bëri të mundur hapjen e saj, duke e bërë atë të aksesueshme për të gjithë qytetarët që ishin duke kaluar dhe u bllokuan në këtë aks rrugor. Vërtet, vonesa ishte e madhe, por jeta e njeriut vlen mbi gjithçka; lavdi zotit nuk pati viktima. Të thuash për shembjen e atij masivi aq të madh shkëmbor, një fenomen natyror, që fajin e ka firma apo e ka qeveria, është për të qeshur e për të qarë. Nuk kompleksohemi,” shkruan Komiçi.
Qytetarët mbetën me orë të tëra në trafik, mes temperaturave të ulëta. Një pjesë e mjeteve të mbetura pranë Librazhdit që destinacion kishin juglindjen u kthyen mbrapsht, ndërsa policia e Korçës udhëzoi të gjithë drejtuesit e mjeteve që për të arritur Elbasanin apo Tiranën të zgjidhnin rrugën që lidh Maliqin me Gramshin.
