
TIRANË-Gjykata e Posaçme ka lënë në burg tre të arrestuarit që trafikonin armë nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe. Policia e Tiranës arrestoi ditën e djeshme tre persona Adulla Hoxhaj, Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj. Në seancën e sotme të tre të arrestuarit vendosën të mos flisnin. Të tre akuzohen për trafik ndërkombëtar armësh, ndërkohë që vijon puna për kapjen e tre personave të tjerë të ndodhur në arrati. Ata jetojnë në Angli dhe ndaj tyre Gjykata e Posaçme ka vendosur masën “arrest në burg”.
Gjatë operacionit të koduar “INKORPORIMI” janë sekuestruar një arsenal armësh i përbërë nga 25 armë zjarri (24 pistoleta dhe 1 kallashnikov), qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike. Po ashtu janë gjetur veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, karta SIM, 2 laptopë dhe 2 armë të ftohta (thika). Të gjitha mjetet e sekustruara janë gjetur në banesën e kreut të grupit, Adulla Hoxhajt. Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në 6 banesa, në Tiranë dhe në Tropojë./ZËRI