
SHKODËR- Bashkimi Evropian ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në Shkodër, ku në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Stërkaj u vendos tritol. BE shprehet se siguria e njerëzve të drejtësisë është parësore për pavarësinë e gjyqësorit.
BE: Ne dënojmë ashpër sulmin e bërë së fundmi ndaj një gjyqtari në Shqipëri. Siguria e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga kërcënimet është thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë për gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Ndërkohë Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi në mbledhjen e sotme të sigurojë mbrojtje fizike për 6 muaj për gjyqtarin e Shkodrës, Tonin Sterkaj, i cili u intimidua e kërcënua me tritol në banesë.
Sipas policisë vendore, ngjarja ndodhi rreth orës 3 e 13 minuta më 28 prilli, në portën e banesës se gjyqtarit, në lagjen “Tom Kola” të qytetit, në kohën kur ai ndodhej në banesë së bashku me familjen. Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme të pakta materiale. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person duke vendosur lëndën shpërthuese, por pa arritur ta identifikojnë. Vetë gjyqtari gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, është shprehur se nuk ka ndonjë çështje specifike në ngarkim, që mund të kenë çuar në vendosjen e lëndës plasëse. Sterkaj dhe gruaja e tij, kanë mohuar që të kenë konflikte, përveç atyre që mund të lidhen me detyrën e gjyqtarit të Shkodrës.
Tonin Sterkaj ushtron prej shumë vitesh detyrën e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër. Dy vite, ai ka punuar edhe si gjyqtar në gjykatën e Apelit të Shkodrës. Deri më tani, tre persona janë shoqëruar që dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe autorët./ZËRI