
GREQI- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 40-vjeçares shqiptare në Greqi, ndërsa në kërkim është shpallur bashkëshorti i saj. Vajza e çiftit shqiptar ka qenë në vendngjarje dhe u ka treguar foton e nënës së saj autoriteteve për të vërtetuar nëse ajo ishte viktima. Një dëshmitare tregoi se vajza e vogël e çifti ka vrapuar në vendngjarje dhe i tha policisë që “ndoshta është nëna ime”.
“Një vajzë e vogël erdhi, në vendin e ngjarjes, dhe tha ‘ndoshta është nëna ime’ ndërsa qante. Vajza tha se e ëma nuk shkoi në punë sot dhe pasi i tregoi foton policisë, tha se babai i saj e kishte vrarë. Ajo fliste në telefon dhe thoshte ‘më kanë vrarë mamin, kanë vrarë mamin tim’, ishte e tronditur. Ajo po thoshte ‘ndoshta babai im e vrau, ai e gjeti teksa ishte rrugës për në punë”, -tha gruaja.
Banorja pohoi se çifti kishin blerë së fundmi një banesë në zonën ku ndodhi vrasja. Siç shpjegon banorja, vajza me siguri në atë moment ka qenë duke folur me vëllain e saj dhe i ka thënë: “Babi e ka vrarë mamin”.
Gruaja u gjet e pajetë në kryqëzimin e rrugëve Parnithos dhe Aristotelous, një nga pikat më qendrore të Menidit. Trupi i pajetë është pikasur rreth orës 06:00 nga një banor i zonës dhe ka njoftuar policinë. 50-vjeçari dyshohet se vrau me thikë bashkëshorten e tij 40-vjeçare dhe e la në mes të rrugës, duke u larguar në drejtim të paditur. Danaj është shpallur në kërkim./ZËRI