
DURRËS- Është zbardhur dëshmia e Aleks Markut, 40-vjeçarit që mbajti peng fëmijët e tij, dhe qëlloi me kallashnikov në ajër, pavarësisht thirrjeve të policisë për të ndaluar. Marku ka pranuar konfliktet që ka pasur me të shoqen, e madje pretendon se kjo e fundit e tradhtonte. Në dëshminë para grupit hetimor, Marku këmbëngul se nuk ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tij, të cilët e bindën që të dorëzohej me negociimin e forcave RENEA.
‘Unë me fëmijët kam katër ditë që qëndroja në shtëpi në plazh dhe fëmijët ishin shumë mirë me mua. Gruaja kishte ikur në Itali dhe kemi disa kohë që kemi debate me njëri-tjetrin. Nga debati i fundit që patëm ajo u largua për në Itali dhe unë mora fëmijët dhe erdhëm në Durrës. Ajo ka dashnor dhe prandaj doja t’i largoja fëmijët. Dje në shtëpi kanë ardhur dashnorët e saj për të na sulmuar dhe unë prandaj dola në dritare duke qëlluar që të largoheshin. Nuk i kam bërë gjë fëmijëve, thjesht djalin e mora me vete në ballkon kur po qëlloja, që ta kisha dëshmitar. Nuk jam treguar i dhunshëm me fëmijët’, ka deklaruar në polici Aleks Marku.
Vetë bashkëshortja e Markut, në një reagim gjatë ditës së djeshme, tha se bashkëshorti i saj nuk i kishte dhunuar fizikisht por vetëm psikologjikisht. Sipas saj bashkëshorti ka qenë nën ndikimin e lëndëve narkotike, ndërsa dhe më herët ajo e kishte denoncuar në polici, dhe më pas nuk ishte paraqitur në gjykatë për të marrë urdhërin e mbrojtjes.
‘Unë e mora vesh se më ka marrë policia e Durrësit sot në mëngjes ngaqë unë kam ardhur mbrëmë nga Italia, kam ardhur në orën 2. Mos të vija në rrezik fëmijët. Kisha llogaritur të vija ose nesër, ti thoja Aleks do mi sjellësh fëmijët ose të marrë policinë. Në mëngjes me ka marrë policia dhe më ka thënë hajde merr fëmijët. E para është shyqyr që më kanë shpëtuar fëmijët. Kam qenë në Itali me miratimin e Alkesit, nuk kemi qenë të ndarë, por kemi pasur konflikte të vogla. Kisha punët e mia në Itali prandaj kam shkuar. Do të kthehemi në Lezhë do të fus edhe fëmijët në shkollë në Lezhë.
Kam bërë denoncime pasi pinte, kishim frikë duke dëgjuar edhe lajme të rënda, edhe nga frika kam bërë denoncim i kam thënë do të ndodhë ndonjë gjë ndonjë di. Fizikisht se më ka dhunuar, por psikologjikisht. Për momentin fëmijët janë mirë. Po u ofrohet ndihmë nga psikologë. U larguam nga problemet këtu. Vendosëm të jetonim në Durrës, të bëjmë jetën normale. Ka 2 javë që jemi në Durrës. Në sy tanë nuk ka konsumuar lëndë narkotike. Edhe mund të ketë konsumuar mbrëmë. Shumë pak flisja më fëmijët. Dy ditët e fundit fare. Nuk i nxirrte dhe nuk tregonte vendin ku është. Ai peng nuk i ka marrë, se fëmijët ju ka besuar qejfin, me dalë. Jo nuk e di po peng nuk i ka marrë peng, ka qenë me miratimin e të dyve. Unë mendoj nga pija. Unë kërkoj urdhër mbrojtje nga shteti. Kam frikë kur të dalë nga burgu.’- tha gruaja për mediat.
Marku portretizohet nga të afërmit e bashkëshortes si një person me probleme, që ushtronte edhe dhunë në familje, ndaj e shoqja kishte vendosur që të largohej drejt Italisë. Duke qenë se ajo është larguar, ai ka marrë fëmijët me forcë nga Lezha dhe është zhvendosur në Durrës. Probleme kishte edhe në Itali, ku ka qenë i dënuar për vjedhje.
/ZËRI