
TIRANË- Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e të mërkurës në Tiranë, ku një 2-vjeçare është dhunuar dhe më pas djegur me cigare në trup. Raportohet se ndaj saj është abuzuar dhe seksualisht, por ky pretendim mbetet për t'u verifikuar.
Në disa pamje të publikuara nga "JOQ", të cilat janë të rënda, dhe Zëri.ai vendosi të mos i ripublikojë, e mitura ka shenja djegie kudo në trup, madje dhe pranë zonës intime.
Ngjarja u raportua në media pak orë më parë, por përmes një njoftimi Policia i hodhi poshtë këto pretendime duke sqaruar se kemi të bëjmë me një rast aksidental. Sipas Policisë, e mitura është djegur me cigare nga i vëllai, po ashtu i mitur.
Për shkak të plagëve të marra 2-vjeçarja fillimisht është shtruar në pavionin e pediatrisë por paraditën e kësaj të enjteje gjendja e saj është rënduar dhe mjekëve u është dashur ta kalojnë në repartin e reanimacionit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë. Ditën e djeshme, është paraqitur për ndihmë mjekësore në spitalin “Nënë Tereza”, e shoqëruar nga nëna e saj, një e mitur 2 vjeçe, të cilën e ka djegur aksidentalisht (duke luajtur me një bisht cigare) vëllai i saj i mitur 9 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Zëri.ai