
TIRANË- Një turist gjerman ka humbur rrugën këtë padite në Malin e Dajtit, teksa eksploronte natyrën. Ai ka telefonuar Policinë e Shtetit dhe shërbimet e komisariatit numër 4 i kanë ardhur në ndihmë. Pas disa orësh kërkimi, për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur dhe të largësisë së vendit nga zona që mund të përshkohet me automjete, është bërë lokalizimi i turistit. Sipas njoftimit zyrtar, ai ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i policisë Tiranë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, i vijnë në ndihmë 1 turisti gjerman, i cili humbi rrugën, gjatë eksplorimit të natyrës, në Malin e Dajtit. Sot, rreth pasdites, në Malin e Dajtit, duke eksploruar natyrën, ka humbur rrugën, në një zonë me terren të vështirë, një shtetas gjerman.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit, menjëherë kanë organizuar punën për t'i ardhur në ndihmë turistit gjerman. Pas disa orësh kërkimi, për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur dhe të largësisë së vendit nga zona që mund të përshkohet me automjete, është bërë lokalizimi i tij, i cili ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo problematikë që mund të hasin, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.