
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe ka pushuar çështjen e Arsen Preçit dhe Arben Spahiut, të cilët janë miqtë e Erjon Alibejt. Prokurori Behar Dibra kërkoi që të pushohej çështja e tyre, pasi sipas hetimeve ata nuk janë personat e dyshuar, por disa të tjerë. Sipas Dibrës hetimet po vazhdojnë për kapjen dhe identifikimin e autorëve. Të dy pretendohej se do të vrisnin biznesmenin Elton Kila, i njohur si "Oti i Elbasanit". Të dy pretenduan se nuk kishin lidhje me ngjarjen dhe se e gjitha ishte një kurth për ta, por çështja i kaloi për gjykim SPAK-ut. Por edhe pse e hetuan për më shumë se një vit, hetuesit nuk kanë gjetur prova të mjaftueshme për t'i akuzuar. Vendimi për arrestimin e tyre erdhi pasi në bishtin e cigares që u gjet në makinën që ishte planifikuar të përdorej në atentat, u zbuluan gjurmë bilogjike të Preçit.
Preçi u arrestua së bashku me Arben Spahiun, kunatin e Erjon Alibejt, që ndodhet pas hekurave si urdhërues i një sërë vrasjesh në qytetin e Elbasanit. Po ashtu, makina ‘BMë X6’, që mendohej se do të përdorej për vrasjen u gjet në lagjen ku banon Erion Alibej. Fillimisht u aludua se mjeti ishte lënë nga armiqtë e tij, por hetimet sollën të tjera zhvillime.
Njëri nga dy të arrestuarit, Arsen Preçi kishte hedhur në koshin e mbeturinave çantën e supit brenda të cilës janë gjetur pistoleta dhe dy mjete identifikuese që kanë çuar policinë drejt zbulimit të autorëve. Po ashtu në çantë janë gjetur edhe maska dhe doreza që do të përdoreshin prej tyre për të humbur gjurmë pas krimit.
Të dy kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen. Ky është atentati i katërt që është planifikuar për eliminimin e Kilës që dështon. Shkak për eliminimin e tij mendohet të jetë një hakmarrje e lidhur me kunatin e Alibejt, Arben Spahiu. Ai është vëllai i Ardit Spahiut, i vrarë në Belgjikë dhe i Rigers Spahiut, i arrestuar në tetor të 2022 pasi u kap me një arsenal armësh. /ZËRI