
VLORË- Detaje të reja janë bërë me dije në lidhje me dhunimin e 29-vjeçares në Vlorë, e cila u rrah nga babai, vëllai dhe i fejuari. Ngjarja ndodhi në banesën ku ajo jetonte së bashku me prindërit. Raportohet se shkak për sherrin është bërë refuzimi i të resë për të nisur bashkëjetesen me 34-vjeçarin, Armandi Janka me të cilin familja e kishte fejuar pa pëlqimin e saj. Fillimisht e ka dhunuar i fejuari, ndërsa më pas babai i saj Astrit Barjami dhe vëllai Erlind Barjami. Policia ka ndërhyrë dhe i ka vënë në pranga të tre, ndërsa e reja ndodhet në spital.
NJOFTIMI I POLICISË:
Vlorë/Parandalohet përshkallëzimi i dhunës në një familje. Ushtruan dhunë fizike ndaj 29-vjeçares, për motive të dobëta, vihen në pranga babai, vëllai dhe i fejuari i saj. Sekuestrohen 1 armë gjahu dhe një sasi municioni luftarak, që i posedonte babai, në banesë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se një 29-vjeçare ishte dhunuar nga familjarët e saj, për motive të dobëta, në banesë, kanë ndërhyrë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës.
Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar shtetasit: A. B., 60 vjeç (babai), E. B., 26 vjeç (vëllai) dhe A. J., 34 vjeç (i fejuari). Nga veprimet hetimore dyshohet se për motive të dobëta, këta shtetas kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 29-vjeçares, e cila është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. B., Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë gjahu dhe municion luftarak. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme./ZËRI