Aktualitet

U ekstradua nga Franca, Apeli lë në burg Behar Bajrin

Behar Bajri u ekstradua nga Franca në nëntor 2023, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit "Metamorfoza".

D.XH
U ekstradua nga Franca, Apeli lë në burg Behar Bajrin
Behar Bajri

TIRANË – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e GJKKO-së për Behar Bajrin, që në muajin nëntor të vitit 2023, caktoi masën e sigurisë arrest me burg.

Bajri u ekstradua nga Franca, më 16 nëntor 2023, nën masa të rrepta të sigurisë. Ndaj tij rëndojnë 7 akuza, ku ndër më të rëndat janë vrasja dhe grupi i strukturuar kriminal. Behar Bajri u arrestua më datë 4 shtator 2023 në një lokal në Strasburg të Francës, pasi ishte shpallur në kërkim në korrik 2023 në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.

Hetimet për zbërthimin e bisedave në aplikacionin Sky Ecc nisën pas informacioneve nga autoritetet holandeze, belge dhe franceze. Në bisedat e përgjuara, biznesmeni Pëllumb Gjoka, po ashtu i vënë në pranga në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, i ka kërkuar Bajrit që të vriste për 120 mijë euro Klenthi Musabelliun, ish-punonjës në policinë e burgjeve.

Njoftimi i plotë i Apelit të GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 04.01.2024, ora 10:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 26.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim Behar Bajri., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 94, datë 23.07.2023 dhe vendimit nr. 126, datë 17.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

⦁ Miratimin e vendimit nr. 94, datë 23.07.2023 dhe të vendimit nr. 126, datë 17.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në lidhje me të hetuarin B.B./ZËRI/

Poll

MOS HUMB