
TIRANË- Ditën e sotme, i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare Behar Bajri mbërriti në Shqipëri. Bajri u ekstradua këtë të enjte nga Franca, vendi ku u arrestua në 4 shtator 2023, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Hetimet ndaj Bajrit dhe 14 të tjerëve të implikuar në dosjen “Metamorfoza” nisën që në vitin 2019, pas zbërthimit të rrjeteve “Sky” dhe “EnkroChat” nga vendet partnere, të cilat sollën në vendin tonë gjetjet e tyre.
Akuzat me të cilat përballet Behar Bajri
Ndaj Behar Bajri rëndojnë pesë vepra penale, ku më kryesoret janë ato të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Vrasje me paramendim”. Në dosjen “Metamorfoza”, Bajri akuzohet si organizator i vrasjes së Gjin Boriçit për llogari të të zhdukurit Ervis Martinaj, sigurimin e personave për vrasjen e mbetur në tentativë të Kleanthi Musabelliut, për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe porositës i vrasjeve që nuk u kryen asnjëherë të Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit. Të gjitha këto ngjarje, Bajri i organizoi e planifikoi pas daljes nga burgu me masë të lehtësuar arresti, të firmosur nga prokurori Xhevahir Lita, i arrestuar pasi dyshohet se mori 30 mijë euro për këtë nder.
Me kë do të përballet Behar Bajri?
8 të arrestuar dhe 9 të shpallur në kërkim është bilanci i megaoperacionit policor “Metamorfoza” kundër grupit kriminal Bajri dhe Ervis Martinajt e bashkëpunëtorëve të tyre. Kyç në realizimin e këtij operacioni ka qenë zbërthimi dhe çkodimi i aplikacioneve të komunikimit online "EncroChat" dhe “SKY” mes anëtarëve të grupit kriminal Bajri, bosit të lojërave të fatit Ervis Martinaj, ish-zyrtarëve të policisë e prokurorisë së Shkodrës. Behar Bajri pritet t'ju bashkohet 6 të arrestuarve të tjerë të operacionit Metamorfoza. Biznesmeni Pëllumb Gjoka, prokurori Xhevahir Lita, ish shefi i Operacionales, Oltion Bistri, ish efektivi Ardit Hasanbegaj, Asmer Bilali, Edmond Preka, janë lënë në burg, prej 31 gushtit 2023, të paktën deri në përfundim të hetimeve.
1-Një përballje në seancat e gjyqit mund të jetë ajo me bizesmenin Pllumb Gjoka. Nga hetimet rezulton se Pëllumb Gjoka ka porositur te Behar Bajri një atentat ndaj Kleant Musabelliut. Vrasjen e këtij të fundit e kishte marrë përsipër Ervis Martinaj, i cili kishte shkëmbyer objektivin me Bajrajt. Bajrajt duhet të vrisnin Gjin Ndojin dhe Martinaj Musabelliun.
2-Një përballje e dytë mund të jetë ajo me bashkëpuntorin e tij të ngushtë, prokurorin Xhevahir Lita. Në dosje ka përgjime, të cilat i përkasin kohës kur Lita ishte ende prokuror në Shkodër dhe nuk ishte transferuar. Xhevahir Lita dyshohet se ka nxjerrë nga burgu Behar Bajrin. Gjithçka u realizua në përfitim të paligjshëm të shumave monetare.
3-Po ashtu një përballje e Bajrit pritet edhe me policin Ardit Hasanbegaj, dhe ish-drejtuesin e Operacionales, Oltion Bistrin. Hasanbegaj rezulton se i ka krijuar kushtet Bajrit për atentatin ndaj Dorjan Dhulit dhe Ibrahim Licit. Ndërsa Oltion Bistri ka ndihmuar të fshehë provat dhe gjurmët që të çonin tek vrasjet.
Në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, të shpallur në kërkim vijojnë Ervis Martinaj, Denis Bajri, Klaudio Haka, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Arsat Bashli, Bardhyl Mavraj dhe Elion Hato.
E shkuara kriminale e Behar Bajrit
Kjo nuk është hera e parë që Behar Bajri bie në pranga. Ai ishte në burg në vitin 2019, por Gjykata e Shkodrës vendosi që ta lirojë .Gjykata ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest me burg”, në “detyrim paraqitje” për numrin dy të grupit “Bajri”, i cili u ekstradua nga Holanda në atë kohë.
Vrasja e Fabiola Bajrit në gjumë
Behar Bajri akuzohet se e vrau Fabiola Bajrin më 20 qershor 2002 në gjumë. Ata ishin të fejuar prej 3 muajsh, megjithëse Fabiola ishte e mitur. Fejesa ishte bërë me aprovimin e familjes, ndërkohë që pas tri muajsh ai e ka rrëmbyer dhe e ka marrë në shtëpinë e tij. Sipas të dhënave, vrasja ka ndodhur pasi ajo i ka kërkuar leje për të shkuar diku. Bajri e ka refuzuar dhe ka patur përballë shpërthimin emocional të të miturës. Po të njëjtat burime, sqarojnë se ai akuzohet se e vrau në gjumë me një plumb pas kurrizit. Pavarësisht se ngjarja u raportua si vetëvrasje, e gjithë Shkodra bën akuzues Behar Bajrin. Pas vrasjes ai iku nga Shqipëria, e po ashtu edhe familja e të resë. Ata ndiheshin të kërcënuar nga Bajri, i cili iu kishte thënë se nëse nuk do të largoheshin, atëherë ai do t’i vriste. Vrasja e të miturës u zbulua nga pozicioni i plumbit që kishte marrë, që ishte poshtë parakrahu. Ndërkohë që pistoleta, e gjetur në banesën e Bajrit, rezultoi se ishte arma e përdorur në vrasjen e Fabiolës dhe Arben Tuzit.
Skeda e ngjarjeve që rëndojnë mbi Behar Bajrin
39-vjeçari Behar Bajri, me një pamje që ka tërhequr jo pak vëmendjen e mediave, akuzohet për një sërë ngjarjesh kriminale, duke nisur që nga vrasja, vjedhja me armë, grabitje etj.
Vjedhja më 14.01.1999
Me datë 14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Kamion me targë të Vlorës.
Me datë 14.01.1999
Në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.
Me datë 21.03.1999- 15.02.2001
Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin. Dy vite më vonë përplasja mes vëllezërve Tuzi dhe Bajri vazhdoi. Në 2001 Behar Bajri dhe Ilir Bajri, vranë me armë zjarri Arben Tuzin, 39-vjeç në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës.
Me datë 28.01.2000
Në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër venale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2 (dy) milion lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Me datë 26.06.2002
Në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është Behar Bajri.
Më datë 12 shtator të vitit 2005, në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë krim Behar Bajri (Rustemi) e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi.
Me datë 18.08.2006
Shtetasi Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”./Zëri.ai