Aktualitet

Telashe të reja për Gent Sejkon! U kallëzua për shpërdorim detyre me mikrokreditë, GJKKO urdhëron SPAK të hetojë çështjen

SPAK kërkoi rrëzimin e padisë, por gjyqtarja Flora Hajredinaj nuk e pranoi kërkesën duke urdhëruar SPAK që të nisë hetimet nga e para lidhur me çështjen e institucioneve të marrjes së kredive të këqija dhe rolin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

k.m.
Telashe të reja për Gent Sejkon! U kallëzua për
Gent Sejko

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të hetojë kallëzimin e bërë nga kreu i dhomës së Përmbaruesëve, Tedi Malaveci. Në seancën e sotme, SPAK kërkoi rrëzimin e padisë, por gjyqtarja Flora Hajredinaj nuk e pranoi kërkesën duke urdhëruar SPAK që të nisë hetimet nga e para lidhur me çështjen e institucioneve të marrjes së kredive të këqija dhe rolin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Gjyqtarja e cilëson të pavlefshme kërkesën e SPAK për të pushuar çështjen ndaj guvernatort të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që ia ka kthyer aktet Strukturës së Posaçme për plotësim hetimesh. Kështu SPAK ka 3 muaj kohë për të kryer hetimet lidhur me çështjen, ndërsa seanca e parë paraprake do të mbahet më 16 tetor. 

VENDIMI I PLOTË I GJKKO:

1. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 11.06.2024, Nr. Regj.Them 90, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt: Kërkohet pushimi i çështjes penale nr.1360/2022 të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” së parashikuar nga neni 248 i K.Penal, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 112, 75/a; 128, 128/a, pika 1, shkronja “b”, 131/2, 332/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale si dhe ligjit nr. 95 datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionin e institucioneve për të luftuar Krimin e Organizuar”, me vendimin Nr. 90, datë 10.07.2024, vendosi:

1. Deklarimin e pavlefshmërisë absolute të aktit “Kërkesë për pushimin e procedimit penal nr.1360, të vitit 2022 të Prokurorit, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, që ka si objekt hetimin e vepës penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj të kallëzuarit Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

2. Kthimin e akteve të procedimit penal nr.1360/2022 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve, prokurores Dorina Bejko, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

3. Veprimet hetimore të urdhëruara në pjesën arsyetuese të këtij vendimi duhet të kryhen brenda 3 (tre) muajve.

4. Caktimin e seancës gjyqësore paraprake datë 16.10.2024, ditë e mërkurë, ora 10:00.

5. Urdhërohet sekretaria e gjykatës t’i njoftojë vendimin Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

6. Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda afatit ligjor.

Kjo është dosja e dytë që Sejko ka në SPAK dhe GJKKO lidhur me çështjen e zyrave të dhënies dhe mbledhjes së borxheve dhe mosveprimin e tij si Guvernator, por jo të vetmet. Edhe në Prokurorinë e Tiranës numërohen disa dosje që pritet të gjykohen për dhënien dhe mbledhjen e borxheve, për të cilat do të kërkohet edhe informacion nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga vetë Sejko. Ndërkohë që ZËRI vazhdon me denoncimet e qytetarëve që kanë rënë pre e mashtrimeve të këtyre institucioneve të licensuara nga BSH. Për të marrë edhe versionin e Bankës së Shqipërisë lidhur me "shumimin" e këtyre institucioneve, prej kohësh ZËRI ka kërkuar një komunikim zyrtar me BSH, por deri më tani ka marrë si përgjigje referencat që Sejko ka bërë në Kuvend dhe në media të tjera lidhur me rastin që është denoncuar nga media jonë. 

Në Shqipëri, skema e mashtrimit financiar me kreditë, e cila ka prekur një numër shumë të lartë qytetarësh, ka përfshirë administratorë të institucioneve financiare jo bankare, si dhe përmbarues privatë, që vepronin në një cikël të mbyllur mes tyre. Dyshimet u ngritën në vitin 2020 nga ministria e Drejtësisë, e cila bëri një kallëzim penal. Por hetimet nisën intensivisht vitin e kaluar. Qytetarët, viktima të kësaj skeme mashtrimi, janë shtrënguar të marrin kredi të reja për të shlyer të vjetrat, apo u janë sekuestruar pasuri që tejkalojnë shumëfish detyrimet e tyre. Banka e Shqipërisë kërkon ndryshime ligjore dhe pret që ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave të vihen në lëvizje, por vetë në asnjë moment nuk ka revokuar licensat e subjekteve në shkelje me ligjin edhe pse rastet kanë qenë flagrante.

Prokuroria e Tiranës më herët ka dorëzuar edhe një kallëzim tjetër për kreditë e këqija pranë Prokurorisë së Posaçme, por ende nuk dihet se për çfarë kallëzimi bëhet fjalë. Sipas "VOA", Sejko akuzohet për grup kriminal.

"Për këtë çështje, kompetencat e SPAK-ut përfshijnë ose Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, ose rastin e një të grupi të strukturuar kriminal. Guvernatori Sejko gjatë raportimit në komisionin parlamentar të ekonomisë tha se nuk është në dijeni të ndonjë hetimi ndaj tij,"-shkruante "Zëri i Amerikës" pak ditë më parë. Por duke qenë se Sejko nuk ka qenë në dijeni të aksioneve ligjore që janë ndërmarrë ndaj tij, në fakt ka 2 dosje për të cilat duhet të japë përgjigje pranë SPAK shumë shpejt, e disa të tjera të dorëzuara në Prokurorinë e Tiranës. 

Si u zbulua skandali?

Prej më shumë se 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyrat e dhënies dhe mbledhjes së borxheve. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve kredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të zyrave të dhënies dhe mbledhjes së borxheve përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë të zyrave të dhënies dhe mbledhjes së borxheve dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!/ZËRI

Poll

MOS HUMB