SARANDË- Pesë të arrestuarit me armë, mbrëmjen e së hënës në Gjashtë të Sarandës kanë dalë sot para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
Bëhet fjalë për: 26-vjeçari Alfred Kaja dhe 33-vjeçari Sidorel Moriseni, të dyshuar për “armëmbajtje pa leje”, si dhe 21-vjeçari Vitrin Hoxha, 22-vjeçari Franko Bobja dhe 31-vjeçari Vionis Poka, të dyshuar për “moskallëzim të krimit”. Të gjithë të arrestuarit janë me precedent penal në fushën e narkotikëve.
Gjykata caktoi masën “Arrest në burg” për Alfred Kajën dhe Sidorel Morisenin, ndërsa për Vitrin Hoxhën, Franko Bobjan dhe Vionis Pokën vendosi “Arrest në shtëpi”.
Kaja dhe Moriseni u kapën nga policia me dy armë zjarri pistoletë, ndërsa tre të tjerët, Poka, Hoxha dhe Bobja, i shoqëronin.
Fillimisht u dyshua se të rinjtë mund të ishin duke përgatitur një ngjarje kriminale. Megjithatë, gjatë kontrolleve nuk iu gjetën maska, doreza apo lëndë djegëse. Edhe automjetet me të cilat lëviznin rezultuan me dokumentacion dhe targa të rregullta. Nga ana tjetër sipas burimeve, dëshmitë e dhëna prej tyre si gjatë hetimit, ashtu edhe në sallën e gjyqit, nuk kanë nxjerrë deri tani të dhëna që t’i lidhin me përgatitjen e një vrasjeje apo të një tjetër krimi të rëndë.
Në vijim të hetimeve, policia po verifikon edhe mundësinë që pesë personat të kenë pasur rol në një aktivitet të shitblerjes së armëve të zjarrit.
Një tjetër element që po verifikohet lidhet me vendin ku u ndaluan. Arrestimi u krye në një rrugicë pranë banesës së Rexhep Ismailit, i cili u vra në lokalin e tij në Qafë Gjashtë në maj të këtij viti. Megjithatw, mbetet e paqartw nwse tw arrestuarit ndodheshin në atë zonë rastësisht./ZËRI
