
TIRANË- Aldorjana Loshi, efektivja e Policisë, e cila u vetëvra me armën e shërbimit një ditë më parë do të varroset në vendlindjen e saj në Rreshen. Në shpalljen e nxjerrë nga familja thuhet se funerali do të kryhet në Katedralen e Rreshenit. Varrimi do të bëhet të dielën në orën 12:00.

Ndërkohë, këtë të shtunë raportohet se është arrestuar i dashuri i saj. Ai akuzohet për pengim të zbulimit të vërtetës. Burimet bëjnë me dije se ai fshiu mesazhet në telefon me policen. 21-vjeçarja Aldorjana Loshi mesazhin e fundit ja ka drejtuar të dashurit të saj, të cilin duket se po e priste t'i shkonte në banesën e saj aty ku dhe vendosi të merrte vendimin makabër.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në rrugën "Todi Shkurti", është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetasja A. L., 21 vjeçe, punonjëse policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, arrestuan shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka shkuar në banesën e shtetases A. L., dhe pasi ka njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur, ka fshirë mesazhet me shtetasen A. L., në telefonin e saj. Materialet i kaluan Prokurorisë./ZËRI