ITALI- Mediat italiane kanë zbuluar më shumë rreth identitetit dhe profilit të biznesmenit italian Edoardo Sarchi që u vra mbrëmjen e kaluar në Tepelenë. Sipas raportimeve të portalit italian Varesenews.it, viktima, Edoardo Sarchi, nuk ishte vetëm një emër i njohur në fushën e biznesit, por kishte lidhje të forta edhe me politikën në Itali.
Media italiane thekson se babai i tij, Vittorio Sarchi, ka qenë një figurë historike në qytetin Luino. Ai ka shërbyer si Këshilltar për Sigurinë gjatë mandatit të dytë të Gianercole Mentasti dhe më pas si këshilltar bashkiak gjatë mandatit të parë të Andrea Pellicini, dy figura kyçe të jetës politike lokale.
“Emri i tij, përtej botës së biznesit, është i lidhur edhe me politikën lokale nëpërmjet babait të tij Vittorio Sarchi, një figurë historike në krahun e djathtë të qytetit buzë liqenit. Një mik dhe bashkëpunëtor i senatorit të ndjerë Piero Pellicini - babai i deputetit aktual të Fratelli d'Italia dhe ish-kryetarit të bashkisë së Luino Andrea Pellicini - Vittorio Sarchi shërbeu si Këshilltar për Sigurinë gjatë mandatit të dytë të Gianercole Mentasti dhe si këshilltar bashkiak gjatë mandatit të parë të Andrea Pellicini.”, shkruan Varesenews.it.
Lidhur me këtë ngjarje Ambasada Italiane në Tiranë dhe Konsullata e Përgjithshme Italiane në Vlorë që në orët e para e kanë ndjekur rastin, për të zbuluar detajet e vrasjes. Autoritetet shqiptare kanë dhënë detaje paraprake, të cilat janë pasqyruar edhe në mediat italiane. Sipas tyre, Edoardo Sarchi dyshohet se është vrarë nga Gazment Braçe, djali i partnerit të tij në biznes, Eqerem Braçe. Motivet e ngjarjes mbeten ende nën hetim./ZËRI