
TIRANË- Gjyqtarja e Tiranës, tashmë e pezulluar, Arnisa Këlliçi ka dalë për herë të parë në një intervistë të zhvilluar lidhur me pretendimet se është kërcënuar nga kolegët e saj, më konkretisht nga prokurori Adriano Dyrmishi. Në një intervistë për “Breaking”, gjyqtarja Këlliçi pretendon se vendimi i Prokurorisë ishte i nxituar, madje pretendon se vetë nuk ka dhënë asnjë model të shkrimit të saj, që të dilej në përfundimin se letrën e kërcënimit e ka shkruar vetë. Sipas saj, në fillim është kërcënuar kancelari dhe më pas, ajo vetë.
“Adriano Durmishi më tha se kam qenë i dehur, s’kam pasur qëllim të të kërcënoj me jetë. Ka pasur 5-6 telefonata ndaj kancelarit. Ai i ka ruajtur të gjitha këto. Me sa më bënë me dije, kancelari nuk e dinte pse bëheshin këto kërcënime. Në 15 janar më bëri me dije, kontaktova prokurorin e çështjesh dhe i kam thënë që është krijuar një situatë e tillë, që është e papranueshme. Prokurori nuk i është bindur as drejtuesit. Pasi i dhashë një ultimatum, erdhi në zyrën time, ka bërë një kërkesë falje, në prezencë edhe të një miku të tij, ish-gjyqtar. Më tha se kam qenë i dehur, s’kam pasur qëllim të të kërcënoj me jetë. Si duket, ka qenë shumë i ngarkuar emocionalisht. Këtë bisedë e kam të regjistruar të gjithën. Megjithatë, asnjë magjistrat, i dehur apo jo, s’mund të kërcënojë. I thashë t’i kërkojë falje kancelarit, me sa duket nuk e ka bërë. Letra ka hyrë në zyrë në ditën kur erdhi dhe prokurori të kërkojë falje. Mua nuk më kanë marrë shembuj të shkrimit tim. Nuk kanë marrë modele të shkrimit tim. Kanë cituar që kanë marrë shkrime të lira që ata i kanë gjetur nuk e di se ku. Unë i kam vënë në dispozicion shkrimet e mia. Unë u shndërrova në një person nën hetim pa u thirrur sërish, me një ekspert grafik që nuk m'u bë me dije kurrë. Ajo letër nuk është shkruar nga unë dhe për këtë janë e sigurtë. Ka portale që thonë se gjyqtarja ka sajuar mesazhet kërcënuese. Unë nuk kam thënë se kam mesazhe. U shndërrova pa patur dijeni fare, në një person nën hetim, nga një ekspert që arriti në një konkluzion rekord që ajo letër nuk është shkruar nga unë. Do të kërkoj një riekspertim. Unë nuk kam komunikuar ndonjëherë me prokurorin Dyrmishi. Nuk kam biseda me të, por me një ish-gjyqtar, quhet A.M. Kam biseda me të kur ai mundohet që të ndërmjetësojë. Një nga OPGJ-të e këtij rasti, Aris Paparizo, ka qenë OPGJ i gatshëm me prokurorin që unë mendoj se më ka kërcënuar. Nuk rezulton askund një marrje në pyetje, një transkriptim i audios ku Dyrmishi kërkon falje, një transkriptim i kërcënimit që i ka bërë kancelarit që i shkruante "do iu vras, nuk zgjoheni nesër, si ti...si ajo,"-tha Këlliçi.
Sipas Këlliçit, zarfi i kërcënimit ka ardhur në tavolinën e saj në 15 janar, në të njëjtën ditë kur prokurori hyri në zyrë për t’i kërkuar falje.
“Kisha shumë punë dhe letrën e kam hapur pas katër ditësh, zarfi ishte gjysmë i hapur. E lexova disa herë, kërcënohesha me jetën time dhe të fëmijëve të mi."
Por pavarësisht pretendimeve të saj, Këshilli i Lartë Gjyqësor e pezulloi nga detyra deri në zbardhjen e plotë të çështjes, por ky fakt nuk duket se i ndikon magjistrates. Me dy fjali, ajo ironizon sistemin e drejtësisë në vend, pjesë e të cilit ishte dhe vetë deri dje.
"Nuk më defion që të jem gjyqtare, është një punë shumë e bukur, por ia vlen të bëhet në një vend që ka drejtësi. Në letër nuk mund të them se shkrimi i kujt është. Unë di që nuk është hetuar, me një shpejtësi marramendëse. Nuk e di kush e ka shkruar këtë letër, por kam dyshimet e mia se dy kërcënimet janë të lidhura,"- shtoi Arnisa Këlliçi.
Ç'ka ndodhur me gjyqtaren?
Fillimisht ishte kancelari i gjykatës (Donaldi ai që përmendet në bisedë) ai që bëri një kallëzim ndaj prokurorit Adriano Dyrmishi. Ky i fundit dyshohet se e ka telefonuar kancelarin, e ka fyer dhe më pas ka përmendur dhe gjyqtaren Këlliçi në telefonatë. Lajmi u publikua në media dhe gjyqtarja u mor në mbrojtje. Dje, Prokuroria e Tiranës vendosi sot nën akuzë gjyqtaren Arnisa Këlliçi, për falsifikim dhe kallëzim të rremë, duke pretenduar se letra kërcënuese që ajo denoncoi ishte shkruar prej vetë asaj. Ky vendim i prokurorisë së Tiranës erdhi pasi gjyqtarja kërkoi që çështja të hetohej në një tjetër prokurori, pasi prokurori Dyrmishi të cilin ajo e akuzoi si kërcënues punon në këtë prokurori./ZËRI