Aktualitet

Veliaj padi të re në GJK: Të shpejtohet vendimi për daljen nga burgu, po mungoj në detyrën si kryebashkiak

Avokatët e Veliajt kërkojnë nga Kushtetuesja të përshpejtojë shqyrtimin e padisë kundër vendimit të arrestimit të tij

F.I
Veliaj padi të re në GJK: Të shpejtohet vendimi për daljen
Erion Veliaj

TIRANË-Një padi e re është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese nga mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Avokatët e Veliajt kërkojnë nga Kushtetuesja të përshpejtojë shqyrtimin e padisë kundër vendimit të arrestimit të tij, duke argumentuar se masa është antikushtetuese dhe po i shkakton dëme në ushtrimin e detyrës.

Padia e re, vjen dy janë pasi Erion Veliaj kërkoi shfuqizimin e vendimeve të gjykatave dhe daljen nga ambjentet e paraburgimit. Kushtetuesja ende nuk ka caktuar datë për shqyrtimin e çështjes.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës. Konkretisht Gjykata vlerësoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB